Vrau me thikë gruan dhe kunatën në Ballsh, 36-vjeçari lihet në burg përjetë

51

Gjykata e Apelit Vlorë lë në fuqi dënimin “burgim i përjetshëm” për Gazmend Musta. Ky i fundit më 2 janar 2019 vrau në shtëpi gruan dhe kunatën e tij. Gjykata e Fierit kishte dhënë vendim për burg përjetë. Vendim ky  i lënë në fuqi nga gjykata e Apelit Vlorë.

Krimi i dyfishtë në familje ndodhi në ditën e dytë të vitit 2019, kur burri vrau gruan dhe motrën e saj, pas një debati në familje. Viktimat ishin Gentiana Çaushaj 31 vjeç, gruaja e autorit dhe motra e saj Merisa Çaushaj 18 vjeçe. Autori Gazment Musta, 34 vjeç, sipas policisë së Fierit, ka qenë i dehur në momentin që i ka qëlluar me thikë për vdekje gruan dhe kunatën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:30 minuta në banesën e çiftit në një pallat brenda qytetit të Ballshit. Shkak ka qenë kërkesa e 31-vjeçares për të shkuar tek prindërit e saj për festat.

Burri, i cili sapo ishte kthyer i dehur pas vizitës te prindërit e tij në fshat, nuk e ka lejuar gruan dhe pas sherrit ka marrë thikën duke qëlluar disa herë për vdekje fillimisht gruan, ndërsa më pas kunatën, e cila ndërhyri për të shpëtuar motrën, por mbeti edhe vetë e vdekur. Çifti kishte dy fëmijë 3 dhe 7 vjeç, të cilët ishin në banesë në momentin e ngjarjes, por jo në dhomën ku babai i tyre u vrau nënën dhe tezen.

Gazmenti kishte dy ditë që ishte kthyer nga Greqia. Sipas policisë autori i vrasjes së dyfishtë në Ballsh ka qenë i dehur.  Pas debatit në banesë, ai ka marrë thikën duke goditur fillimisht gruan më pas motrën e saj për vdekje, ndërkohë që është arrestuar menjëherë.