Partia Demokratike akuzon SPAK-un se nuk veproi për të parandaluar shit-blerjen e votave pas padive të bëra nga opozita para zgjedhjeve të 25 prillit.
Belind Këlliçi, i zgjedhur deputet nga radhët e PD-së në këto zgjedhje foli për “dhjetëra përfaqësues të Partisë Socialiste, drejtues të administratës qendrore dhe lokale, njerëz të krimit të organizuar që janë identifikuar nga Partia Demokratike në veprimtarinë kriminale të blerjes së votës dhe shantazhimit të votuesve”.
Këlliçi tha se SPAK-ut u janë vënë në dispozicion materialet e nevojshme prej më shumë se një muaji.
“SPAK-ut i janë vënë në dispozicion numrat e tyre të telefonit dhe zona ku veprojnë për të shpërndarë para për blerjen e votave, por ata u lanë të lirë të deformojnë vullnetin e zgjedhësve”, tha Këlliçi.
PD thotë se çdo ditë do të bëjë publike fakte e prova në lidhje me atë që e quan “masakër zgjedhore të 25 prillit”.
“Beteja jonë do të zhvillohet në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë dhe përfundimi i saj do të jetë i qartë: përmbysja e regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë shqiptarëve. Kjo betejë nuk ka të bëjë me PD-në por me të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë dhe të demokracisë. Shqipëria sot ka humbur, por nëse ne do të kishim fituar me banda, Shqipëria do të kishte humbur edhe nesër, jo vetëm sot. Detyra jonë është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend”, vijoi Këlliçi.
Të dielën, pritet që PD të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 9 qarqe të vendit.