Kunati i Luizit deklaron se të drejtat në lidhje me emrin dhe administrimin e tij kanë kaluar Top Channel

Kunati i Luizit, Sokol Tahiri, ka konfirmuar atë që është përfolur lidhur me Instagramin e Luizit. Të drejtat në lidhje me emrin dhe administrimin e Luizit i kanë kaluar Top Channel.

Ai shkruan në një status se kjo është arsyeja pse janë bllokuar fotot dhe informacionet nga Instagrami zyrtar i Luizit, duke shtuar se nuk i është komunikuar se në çfarë forme dhe akti juridik është kryer kjo.

“Të nderuar fansa të Luizit.
Duke ju përgjigjur interesimit të madh nga ana Juaj po ju informoj se nga faqja zyrtare e Luizit që menaxhohej nga shoqja dhe motra e tij, janë bllokuar fotografitë dhe informacionet e tjera që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Luizit në Big Brother,
pasi në një komunikim me produksionin e këtij show na është njoftuar që të drejtat në lidhje me emrin dhe administrimin i kanë kaluar Top Channel. Në çfarë forme dhe akti juridik është kryer kjo, mua nuk më është komunikuar ndonjë dokument.
Megjithatë në gjithë këtë histori e rëndësishme është që ne të mbështesim Luizin dhe të shijojmë lojën e tij.
Pastaj kur të përfundojë loja do të sqarohen roli dhe qëllimi i secilës palë. Edhe një herë Ju falenderoj për interesimin dhe mbështetjen që keni dhënë për Luizin.”-shkruan ai.

Sakaq, nuk ka asnjë deklaratë nga “Top Channel”, që në emisione të ndryshme ka deklaruar se shkak i bllokimit të Instagramit të Luizit kanë qenë sulmet kibernetike sikurse u deklarua fillimisht nga personat që e menaxhonin.

Author: portali