Komentet e Arbër Hajdarit ndaj situatave në “Big Brother VIP” për një pjesë të publikut mund të jenë dukur të duhurat dhe qesharake, e për një pjesë jo.
Fundja, të gjithë kanë mendime të ndryshme. Por, ajo për të cilën disa komentues “akuzojnë” Arbërin është se ai ka nxitur urrejtje ndaj Kiarës në rrjet.
Kohët e fundit Arbëri është treguar pafiltra dhe sarkastik në komentet e tij. Dhe në përgjigje ai u ka thënë se ky është formati dhe ka komentuar thjesht ndodhitë që kanë ndodhur aty.
Sakaq, sot përmes një reagimi të gjatë ai shkruan se të komentojë këtë format ka qenë shumë e vështirë për të. Duke u shprehur se gjithë jetës nuk ka dashur të cënojë askënd dhe të vlerësojë çdokënd duke u përpjekur për të qënë i drejtë e racional, Arbëri bën thirrje se banorët nuk meritojnë asnjë lloj linçimi publik.
“Miq të dashur!
Ky Big Brother ka qënë dhe është shumë i vështirë për tu analizuar, për tu komentuar e për të dhënë një opinion personal pikërisht për përmasat gjigande që ka marrë dhe ndjeshmërisë së madhe që secili nga personazhet ka në publik. Gjatë gjithë jetës dhe punës sime kam si parim të mos cënoj askënd dhe të vlerësoj çdokënd duke u përpjekur për të qënë i drejtë e racional. Ky është një spektakël, një show televiziv dhe jo një arenë gladiatorësh, ata aty brenda por edhe ne këtu jashtë që jemi të përfshirë, jemi njerëz normalë me të mirat dhe të këqijat tona, por ndryshimi është që ata aty brenda po ju argëtojnë prej 103 ditësh dhe nuk meritojnë asnjë lloj linçimi publik.
Shprehja e një opinioni personal për lojen e tyre nuk do doja kurrsesi të përkthehej në sulm karshi asnjërit prej konkurentëve.
Nëse unë kam bërë dy batuta me konkurentët ka ndodhur sepse ky është një show dhe si i tillë të gjithë duhet ta marrim pak më me lehtësi e sportivitet. Boll drama ka ky vend! Big brother është për argëtim, jo për të shfryrë, sharë dhe ofenduar askënd.”