Zyra e delegacionit të BE-së në vendin tonë ka bërë të ditur dje se duke nisur nga kjo javë do mbërrijnë në Tiranë vëzhguesit ndërkombëtarë të procesit të vettingut. Ata janë 7 europianë dhe 1 amerikan, ndërsa shumica e tyre kanë shërbyer më parë në Kosovë. Roli i ndërkombëtarëve, i barabartë me anëtarët e institucioneve të vettingut
Roli i vëzhguesve
Ligji i vettingut nuk bën një përcaktim të qartë për mënyrën se si zgjidhen vëzhguesit ndërkombëtarë të vettingut dhe cili do jetë roli i tyre në këtë proces. Ligji flet për vëzhguesit ndërkombëtarë që në nenin 5 të tij, ku përcakton se “Procesi i vlerësimit të subjekteve të rivlerësimit kryhet nga Komisioni, Kolegji i Apelimit, komisionerët publikë, në bashkëpunim me vëzhguesit ndërkombëtarë”.
Pra, ky nen përcakton vëzhguesin si pjesë e hallkës që do bëjë vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, por nuk jep asnjë të dhënë se si do bashkëpunojë në këtë drejtim. Për rolin e vëzhguesit ndërkombëtar flet edhe neni 17 i këtij ligji, i cili teksa përcakton se çdo vëzhgues ndërkombëtar mund të kërkojë fillimin e hetimit disiplinor ndaj çdo anëtari të institucioneve të rivlerësimit. Jo vetëm kaq, por në këto raste vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të presë edhe raportimet nga publiku për shkeljet disiplinore të anëtarëve të institucioneve të vettingut.
Gjithashtu, vëzhguesve ndërkombëtarë në nenin 33 u jepet e drejta për të patur akses të plotë për të kërkuar nga ILKPKI informacion, të kopjojnë apo të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura nga gjyqtarët dhe prokurorët apo të personave të lidhur me ta. Po ashtu, anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit, ndërkohë që gjatë hetimit administrative ata mund të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike dhe administrojnë dokumentet që vërtetojnë veprime, fakte, cilësi ose një situatë subjektive të nevojshme për realizimin e hetimit. Jo vetëm kaq, por në nenin 49 të ligjit përcaktohet se një mendim me shkrim i dhënë nga vëzhguesit ndërkombëtarë konsiderohet një përfundim i dhënë për një rrethanë konkrete gjatë procesit të rivlerësimit ose që rezulton nga faktet në çështje të veçanta.
Mendimi në këtë rast mund të ndikojë në vendimmarrjen e Komisionit ose të Kolegjit të Apelimit, por nuk ka vlerën e provës. Ashtu si Komisioni, Kolegji i Apelimit edhe vëzhguesit ndërkombëtarë bashkëpunojnë me organet shtetërore, personat fizikë dhe juridikë, vendës ose të huaj, për të verifikuar vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve të bëra nga subjektet e rivlerësimit, ndërsa u jepet akses i plotë në të gjitha të dhënat, pranë Prokurorisë së Posaçme. Pra, siç shihet roli i tyre është thuajse i barabartë me atë të vetë institucioneve shqiptare të vettingut, çka e bën këtë proces të dyzuar mes rolit të shqiptarëve atyre të huajve. Në fakt ky është një legjitimim i shqetësimit që pati gjatë bërjes së reformës opozita, e cila kundërshtoi rolin vendimmarrës të ndërkombëtarëve në këtë proces.