Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar sot me drejtues dhe punonjës të disa fasonerive në Fushë-Krujë, qytet në të cilin u rregjistruan disa të prekur me COVID-19. Basha ka deklaruar në një postim në Faqen Zyrtare të PD-së në FaceBook, se ka marrë nga këto takime shqetësimet e drejtuesve të bizneseve, por dhe punëtorëve, në këto kohë të vështira si rezultat i pandemisë, ku mbështetja e qeverisë sipas tij i ka munguar.
POSTIMI I BASHËS
Shqiptarët në çdo cep të vendit po përballen sot me mungesën e ndihmës së qeverisë të premtuar gjatë pandemisë. Premtime boshe nga një njeri i dështuar! Më shumë varfëri dhe papunësi për qytetarët ndërkohë që lekët e tyre Edi Rama i ndan me një grusht oligarkë.Punonjës dhe drejtues të disa fasonerive në Fushë-Krujë më folën për hallet e tyre të lidhura me mungesën e mbështetjes dhe ndihmës nga qeveria gjatë pandemisë. Paga e premtuar nga Edi Rama është një tjetër dështim i tij të cilën shumica e punojësve nuk e ka marrë. Pronarët janë detyruar të largojnë punonjësit nga puna ndërsa e ardhmja e afërt duket e zymtë për ta, pasi mungesa e ndihmës ekonomike po e çon biznesin e fasonerisë drejt mbylljes.Sikur të paguante pagën minimale për këtë kategori punonjësish buxhetit të shtetit do t’i kushtonte 25 milionë euro. Këto para që ju takojnë njerëzve Rama ua jep oligarkëve pasi ka shitur pronat e shqiptarëve dhe shtetin tek oligarkët dhe po bën tregti edhe me djersën e njerëzve. Edhe në këto kohë emergjence, Rama zgjodhi të ndajë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve me oligarkët duke i braktisur njerëzit kur ata kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetje.