Vetëm pak kohë duket se e ndan Ukrainën nga një pushtim i mundshëm nga Rusia. Sot Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka bërë thirrje shtetasve shqiptare që të mos udhëtojnë në Ukrainë, ndërsa kërkon nga ata që janë atje, të largohen menjëherë.
Ndërkohë në Ukrainë ka mijëra shqiptarë të cilët tashmë janë bërë shtetas ukrainas të cilët po preken nga trazirat e fundit mes gjeopolitikave globale. Ata janë shprehur të gatshëm të dalin dhe të luftojnë nëse është nevoja, kundër pushtimit rus.
“Nëse situata e kërkon, shqiptarët do të luftojnë”, kështu shprehet Aleksandër Dermentli, kryetar i shoqatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës” në një intervistë me gazetarin Ervin Leka për Abcnews.al.
Dermentli, shprehet se situata është shumë e tensionuar megjithatë sipas tij, shqiptarët nuk kanë frikë nga situata aktuale. I pyetur nga Abcnews.al, Aleksandër Dermentli shprehet se shumë pranë zonës së konfliktit ku edhe janë dislokuar mijëra ushtarë rus, ka prani të shqiptarëve. Ai pohon se janë përkatësisht 20 familje shqiptare që jetojnë në zonën e Donetskut. Ata ende nuk janë larguar nga banesat e tyre, megjithëse SHBA ka paralajmëruar se në ditët në vijim mund të ndodh pushtimi rus.
Dermentli mes të tjerash shpjegon se do ishte një veprim i drejtë që shqiptarët të mund të ktheheshin në Shqipëri në rast të një lufte. Ndërkohë ai shton se nëse do të fillojë sulmi do të mendojë si të strehojë në një vend të sigurt familjarët e tij.
Intervista:
Gazetari: Si është gjendja aktualisht aty? A ka trazira? A keni frikë për situatën aktuale?
Aleksandër Dermentli – Situata është e tensionuar, por për momentin nuk ka trazira. Nuk kemi frikë nga situata aktuale.
Gazetari: A morën pjesë shqiptarët në marshimin që u bë në Kiev, kundër luftës?
Aleksandër Dermentli – Jo, në dijeni time, shqiptarët nuk morën pjesë.
Gazetari: Nëse Rusia pushton Ukrainën cili është veprimi i parë që do ndërmerrni?
Aleksandër Dermentli – Pikësëpari do të mendoj se si t’i evakuoj fëmijët. Më pas të moshuarit dhe gratë për t’i çuar në një vend të sigurt.
Gazetari: Në intervistën e parë që kemi bërë së bashku, ju thatë që ka disa familje shqiptare pranë zonës së konfliktit. A ndodhen ata ende atje, apo kanë ikur?
Aleksandër Dermentli – Ende askush nuk është larguar nga atje. Askush nuk është larguar ende nga shtëpitë e tyre.
Gazetari: Çfarë kanë deklaruar autoritetet e Ukrainës për situatën aktuale, cila është thirrja e tyre për popullin?
Aleksandër Dermentli – Thirrja kryesore është të mos bëhet panik.
Gazetari: Ministria e Jashtme u ka bërë thirrje shqiptarëve që të largohen nga Ukraina, a keni pasur komunikim me ndonjërin prej tyre?
Aleksandër Dermentli – Po, por ky informacion është i mbyllur.
Gazetari: Çfarë pasojash mund të ketë për shqiptarët nëse situata shkon në luftë?
Aleksandër Dermentli – Kjo luftë do të na bashkojë dhe do të na bëjë më të fortë.
Gazetari: A e mendoni kthimin në Shqipëri për shkak të luftës?
Aleksandër Dermentli – Po. Do të ishte e drejtë.
Gazetari: Kemi parë raportime ne media që kemi një armatim të qytetarëve, sa i vërtetë është ky fakt?
Aleksandër Dermentli – Po, është me të vërtetë.
-Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka bërë thirrje shtetasve shqiptare që të mos udhëtojnë në Ukrainë, ndërsa kërkon nga ata që janë atje, të largohen menjëherë!
Ministria thekson se ka një rrezik të besueshëm sipas të cilit situata do të përshkallëzohet atje, prandaj edhe shqiptarët nuk duhet të udhëtojnë si edhe ata që janë atje duhet të largohen.
Çdo shqiptar që ndodhet aktualisht në Ukrainë duhet të telefonojë numrat +48 22 824 14 27; +48 501 194 910; ose të shkruajë në adresat e emailit: ambasada@albania.waw.pl; embassy.warsaw@mfa.gov.al; dk@mfa.gov.al
“Qytetarët shqiptarë ftohen që të informohen përmes kanaleve të komunikimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, njofton ministria.
SHBA-të dhe NATO besojnë se ushtria ruse do të sulmojë Ukrainën gjatë orëve apo dy ditëve në vijim pas mbledhjes së të gjithë arsenalit ushtarak përreth këtij shteti. Një ditë më parë, vetë Sekretari i Shtetit Blinken tha se e presin një sulm këto ditë, ndërsa mediat amerikane raportojnë duke iu referuar burimeve ushtarake se sulmi do të ndodhë deri të martën.
Rusia është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe ka nisur një process destabilizimi të vendit që prej vitit 2014 ku separatist pro rusë morën kontrollin në rajonet lindore, ndërsa vetë ushtria ruse aneksoi Krimenë, raporton abcnews.al.
Dy ditë më parë NATO i ktheu përgjigje Rusisë duke theksuar se nuk mundet që të ndalojë anëtarësimin e shteteve në aleancë pasi kjo bëhet me vullnetin e tyre. Rusia kishte kërkuar bllokimin e zgjerimit të NATO-s dhe largimin e saj deri te kufijtë e vitit 1997 duke lënë jashtë të gjitha republikat balltike, Rumaninë dhe Bullgarinë.
/abcnews.al/Shqiperiaime.com.al