Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, theksoi mbrëmjen e sotme se në mes të kësaj krize që ka shkaktuar çmimi i karburanteve, qeveria ka ulur konsumin e karburanteve për administratën dhe për ministrat.
“Ne rishikuam buxhetin dhe shpenzimet kapitale i rishikuam me 7 miliardë lekë, rishikuam dhe shpenzimet operative kemi ulur konsumin e karburanteve në fakt për ato pjesë të administratës që e përdor makinën por ndërkohë është në zyrë e kemi përgjysmuar.
Për kategorinë tjetër që e përdor makinën për qëllime pune si OSHEE që duhet të shkojnë në terren e kemi reduktuar me 10%”, u shpreh ajo në emisionin “Opinion”.
Fevziu: Ministrat e kanë me detyrim të shkojnë ne pune me makinë?
Delina Ibrahimaj: Ministrat nuk e kanë me detyrim të lëvizin me makinë dhe ne kemi shkurtuar 50% shpenzimet e karburanteve të ministrave.
Duke marrë në analizë këtë përgjigjie, kujtojmë që pak ditë më parë, e pyetur për protestën e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve, Ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi tha se si ministre është e detyruar që të përdorë makinën, por qytetarëve u kërkoi të lëvizin në këmbë ose me biçikleta.
“Unë si ministre e kam të detyruar të vij me makinë. Mund të vijë dhe në këmb, do përpiqem që të vij edhe në këmb. Unë zakonisht lëviz me biçiklete po… qytetarët për arsye ambientaliste duhet përgjegjësisht të përpiqen të lëvizin në këmbë ose me biçikletë siç kam pasur bërë unë. Por nëse i duhet edhe me makinë”, tha Muzhaqi.