Tërmeti u shembi shtëpinë, familja me 5 anëtarë jeton në banesën me kollona të thyera që “tundet” dhe frikëson fëmijët

Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” këtë herë ishin në fshatin Kanaparaj Njësia Administrative Golem, Bashkia Kavajë. Flora Xhafa nënë e 3 fëmijëve me probleme të ndryshe social-ekonomike, ka kërkuar ndihmën e emisionit “Fiks Fare”, pasi që prej tërmetit të Nëntorit të vitit 2019 shtëpia e saj ka rezultuar DS4 dhe prej asaj kohe nuk është bërë asnjë ndërhyrje për rikonstruksionin e banesës. Flora shprehet se ekspertët kanë konstatuar dëmtimin e shtëpisë dhe prej tyre i është njoftuar se nuk duhet të futen në shtëpi pa mbaruar rikonstruksioni, sepse shtëpia mundet të shembet si pasojë e dëmtimeve të kolonave kryesore të shtëpisë.

 

Gjithashtu, për gazetarët e ‘Fiks Fare’ ajo thotë se ka dhe dy fëmijë me probleme në zhvillimin mendor. Bashkia e Kavajës e trajton familjen Xhafa me një bonus qiraje prej 159 mijë lekësh të vjetra, por kalimi i tyre në llogari nuk bëhet rregullisht. Flora thotë se kohë më parë jetonte në një shtëpi me qira, por qiradhënësi nuk e lejoi të qëndronte më sepse pagesat nuk ishin të rregullta dhe u detyrua të kthehej përsëri në shtëpinë e dëmtuar. Ajo thotë se të qëndruarit në shtëpi është e frikshme, sepse sa herë ngjisin dhe zbresin-shkallët shtëpia tundet dhe fëmijët tremben. Flora nuk ka interes që të vazhdojë të trajtohet me bonusin e qirasë, por kërkon që të dijë se kur do të fillojnë punimet për restaurimin e shtëpisë, pasi nga Njësia Administrative Golem dhe Bashkia Kavajë sa herë që interesohet, punonjësit e këtyre 2 institucioneve e lejnë pa një përgjigje.

 

Gazetarët e ‘Fiks Fare’ ju drejtuan Njësisë Administrative Golem, ku punonjësja e shërbimit publik i sqaroi se dosja e familjes Xhafa ka kaluar para shumë kohësh në administrim të Bashkisë Kavajë dhe se atje ndodhen të gjitha dosjet e shtëpive të dëmtuara me nivel DS4-DS5. Aplikimet e familjes Xhafa janë të rregullta gjithashtu Instituti i Ndërtimit ka vlerësuar objektin për restaurim me shumën 2.554.040.83 lekë (të rinj) është i pari në listën e aplikantëve dhe në momentin që do të fillojnë punimet për të gjithë, familja do të jetë e para në të cilën do të ndërhyhet.

 

Pas Njësisë Administrative gazetarët bashkë me qytetaren i drejtohen Bashkisë Kavajë. Gjatë interesimit të qytetares në zyrat e pritjes së publikut punonjëset i thonë se shtëpitë me nivel dëmtimi DS4 në qytetin e Kavajës nuk kanë filluar akoma të restaurohen. Pas disa këmbënguljeve të saj për një përgjigje më të saktë, polici bashkiak e nxjerr nga ambientet e bashkisë duke i thënë se nuk të durojmë dot. Por, drejtori i kabinetit të bashkisë, Shpend Barameta thotë për gazetarët se zonja e ka marrë përgjigjen e duhur, por duhet të bëhet një kërkesë për informacion për shpjegime më të detajuara.

 

Pas kërkesës për informacion drejtuar Bashkisë Kavajë në përgjigje thuhet se Bashkia Kavajë ka dërguar kërkesën për fonde, por jemi në pritje të miratimit te fondit. Instituti i Ndërtimit ka rekomanduar që objekti duhet t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe vlera e përllogaritur është 2.554.040.83 lekë të rinj./TCH

Author: portali