Ngjyra më e veçantë e sezonit pranverë-verë? Jo, nuk është as e florinjta dhe as argjendi! Ngjyra që bashkon jeshilen me bojqiellin është hija perfekte që do t’i japë një prekje rojale veshjeve tuaja. Pasi ka qenë në qetësi për disa sezone, ngjyra e ashtuquajtur “tiffany” është kthyer për të vendosur rregullat këtë sezon.
Kur mendojmë rreth kësaj ngjyre, menjëherë na vjen në mendje “Tiffany” si argjendari dhe Audrey Hepburn si protagoniste.
Ky ton në paletën e madhe të ngjyrave do të jetë një ndër ngjyrat më në modë të vitit duke lënë pas shumë të tjera që në perceptimin tonë nuk ikin kurrë nga moda. E përcaktuar si ngjyrë që zbut tonet e errëta me ëmbëlsi, akuamarina krijon kontraste të forta duke i dhuruar look-ut tuaj një prekje më luksoze.
Sugjerimi kryesor që mund të japim rreth kësaj ngjyrë është rregulli i parë që ajo mban me vete: Tipari “royal” dhe luksoz që kjo ngjyrë ka, nuk ju lejon ta integroni këtë ngjyrë në kombinimet tuaja sportive.
Zgjidheni këtë ngjyrë vetëm në rastet e një look-u të sofistikuar, për shembull kur jeni të kombinuara me një xhaketë maskuline apo me një fustan romantik, më mirë nëse shoqërohet me printe me lule. Mendoni se do ishte një ide e mirë për të guxuar me një total look tiffany?
Edhe pse më sipër thamë se kjo ngjyrë nuk lidhet mirë me veshjet sportive, ju nuk duhet ta përjashtoni atë nga kombinimet e përditshme. Zgjidheni atë gjithmonë në copa të holla siç është pambuku, sateni apo organzat e holla.