Ndalimi i muzikës pas orës 23:00 ul 70% xhiron e klubeve të natës, ja të ardhurat te këto biznese pas pandemisë

Vendimi për të mos lejuar muzikën në klubet e natës, në Tiranë pas orës 23:00, teksa në vend prej fillimit të marsit është hequr ora policore, po thellon humbjet te këto biznese.

 

Klubet e natës, bashkë me baret ishin të parët që u mbyllën në muajin mars 2020 kur u zbatua karantina 3-mujore. Drejtues të bizneseve të licencuara, si klube nate pohojnë me shqetësim se vendimi për ndalimin e muzikës pas këtij orari ka tkurrur 70% të ardhurat e tyre, në krahasim me periudhën para pandemisë, në vitin 2019.

 

Akti Normativ i miratuar në 2020 përcakton se orari i ndalimit të muzikës në mjediset e shërbimit përcaktohet rast pas rasti me urdhër të Ministrit të Brendshëm, pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve për Covid-19. Nga 3 Marsi Komiteti i Përkohshëm i Ekspertëve të Covid-19 vendosi heqjen e orës policore, ndërsa la të pandryshuar vendimin për moslejimin e muzikës pas orës 23:00 (sipas vendimit të 19 korrikut 2021). Nga kjo periudhë vijon të ndalohet muzika pas orës 23:00 për klubet e natës, diskot, lounge-baret dhe çdo lloj shërbimi i kësaj natyre në mjedise të mbyllura apo të hapura. Zbatuese e këtij urdhri është Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të Shtetit.

 

Vendimi për moslejimin e muzikës përveçse konsiderohet “vrastar” për jetën e natës në Tiranë nga përfaqësuesi i Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj, por po dëmton edhe strukturat e tjera të shërbimeve, siç janë baret dhe restorantet. “Të gjithë presin ndryshimin e vendimit që të fillojë aktiviteti edhe për këto struktura shërbimi, që janë më të dëmtuarat nga pandemia, por edhe në kuadrin e nismës, “Tirana Youth Capital”. Me sa duket askush nuk shqetësohet për të ndryshuar diçka. Të gjitha këto biznese që janë të detyruara të mbyllin muzikën pas orës 23:00, përveç “një grushti miqsh”, janë të falimentuara, pasi paguajnë edhe faturat për detyrimet e taksave, ujit dhe energjisë”.

 

Një nga menaxherët e një klubi nate në Tiranë në zonën ku ndodhet “Folie Tiranë”, “Tuneli”, “Cinco Cavalli” etj, që kërkoi të mbetet në anonimat tha për “Monitor” se në fund të muajit prill është i detyruar të mbyllë aktivitetin, pasi të ardhurat janë 70% më pak se para pandemisë.

 

“Ne po punojmë me orarin e çajit nga ora 20:00 deri në 23:00. Pas këtij orari nuk të lejon policia. Në biznes janë të punësuar rreth 40 persona, por me rënie e xhiros 70% është e pamundur të vazhdohet puna. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave shpenzohet për programin artistik, për pagesat e këngëtarëve që këndojnë live, pasi janë të shtrenjta. Në këtë situatë kur ne punojmë vetëm 3 orë, dhe shpenzimet janë rritur, duke nisur që nga shtrenjtimi i pijeve alkoolike dhe energjia, nuk është e leverdishme ta mbash më hapur klubin e natës. Në fund të muajit do ta mbyllim, gjë e cila nuk ka ndodhur më parë”, pohon ai.

 

Kryeministri Edi Rama 1 javë pas vendimit të komitetit të ekspertëve për heqjen e orës policore në një takim me sipërmarrësit sqaroi se “Nuk ka më orë në kufizimin e lëvizjeve. Moslejimi i muzikës lidhet me ata që janë banojnë sipër, pasi shqetësohen. Kjo punë nuk shkon. Vazhdon të jetë i njëjti problem me muzikën. Nuk mund të jetë në ato nivele sa të tronditen ata që janë lart”.

 

Por mbajtja në fuqi e vendimit për ndalimin e muzikës pas orës 23:00, në kushtet kur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve të pandemisë nuk është më në fuqi ora policore për daljen e popullatës, nuk bazohet mbi shqetësime të ngritura nga qytetarët për zhurmat që krijojnë këto ambiente (veçanërisht kur ndodhen poshtë pallateve banuese) apo mbi indicet për rritjen e veprimtarive në kundërshtim me ligjin në këto ambiente.

 

Ministria e Brendshme sqaroi për “Monitor” se kufizimi i muzikës deri në orën 23:00 është bërë në bazë të urdhrit nr.284 të Ministrit të Brendshëm, datë 29.07.2021. Vetë urdhri i Ministrit të Brendshëm bazohet në vendimin Nr.3226, datë 19.07.2021 të Komitetit të Përkohshëm të Infeksionit të përhapur nga Covid 19. “Pra, ky Komitet i propozon Ministrit të Brendshëm në bazë të vlerësimit epidemiologjik të situatës, rishikimin ose jo të vendimit orarin e kufizimit të muzikës. Deri më tani nuk ka një propozim të ri nga Komiteti për rishikimin e orarit të muzikës. Në momentin që vjen një vlerësim i ri, Ministri i Brendshëm do të nxjerrë një urdhër tjetër për këtë çështje”, sqaroi ky institucion.

 

Përfaqësues të klubeve të natës thonë se edhe ata nuk janë të interesuar të krijojnë shqetësime në komunitet nga muzika dhe për këtë arsye për mosndotjen akustike kanë investuar shuma deri në 2 mln euro.

 

A do të ketë rishikim të orarit? “Nëse Komiteti i Përkohshëm i Infeksionit të përhapur nga Covid do të paraqesë një vlerësim tjetër për situatën epidemiologjike, urdhri për rishikimin e orarit të kufizimit të muzikës në lokale apo klube nate, do të ndryshojë. Por në çdo rast orari do të jetë i rregulluar mbi bazë të legjislacionit ekzistues përpara hyrjes në fuqi të Aktit Normativ Nr.3, datë 15.03.2020 Për Marrjen e Masave të Veçanta Administrative gjatë Kohëzgjatjes së Periudhës së Infeksionit të Shkaktuar nga Covid-19”, thuhet në sqarimin e Ministrisë të Brendshme.

 

A po zbatohet me rigorozitet vendimi?

 

Operatorë të ndryshëm ngrenë shqetësimin se po hasen me mungesë unifikimi të zbatimit të vendimit në Tiranë. Sipas tyre në disa klube nate muzika lejohet deri në orën 05:00 të mëngjesit. “Pyetja që duhet bërë është: A doni që të ketë me jetë nate në Tiranë? A infekton muzika dhe si? Pse në disa lokale nuk infekton e në të tjerë po?”, thotë për “Monitor” Redi Panariti drejtuesi i një bari në zonë e ish Bllokut.

 

Për këtë shqetësim të bizneseve Ministria e Brendshme tha se “Policia e Shtetit është e ngarkuar dhe ka detyrimin ligjor të sigurojë zbatimin e urdhrit të Ministrit të Brendshëm për kufizimin e muzikës sipas orarit të përcaktuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nëse ka raste devijimi apo abuzimi nga punonjës të caktuar të Policisë së Shtetit, subjektet në fjalë që ngrenë pretendime të tilla dhe çdo qytetar tjetër që konstaton këtë shkelje, duhet të denoncojë menjëherë, qoftë në Polici apo tek Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (ish SHÇBA)”./D.Azo

Author: portali