A e dini simbolikën e kartëmonedhave shqiptare

Historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e konstituar më 2 shtator të vitit 1925. Banka u krijua me nënshkrimin e konventës përkatëse midis grupit financiar italian të kryesuar nga Mario Alberti dhe Qeverisë së Ahmet Zogut.

Konventa përcaktonte ndër funksionet e këtij institucioni, përveç kreditimit, emetimin e kartëmonedhave me kurs ligjor për pagesat në Shqipëri si dhe emetimin e monedhave të arit dhe të metaleve të tjera, me të drejtë ekskluzive.

Ky mund të quhet institucioni i parë emetues kombëtar i parasë, por historia e popullit tonë dëshmon prerjen e monedhave të para që në shekullin IV p.e.s., nga Dyrrahu (Durrësi) dhe Apollonia (Pojan pranë Fierit), qytete të Ilirisë.

Seria aktuale e kartëmonedhave përfshin këto periudha:

Kartëmonedha 2000 Lekë përfaqëson epokën ilire (portreti i Mbretit Ilir Gent).
Kartëmonedha 5000 Lekë përfaqëson periudhën e Skënderbeut (portreti i tij).
Kartëmonedha 1000 Lekë përfaqëson Mesjetën (portreti i Pjetër Bogdanit).
Kartëmonedha 200 Lekë përfaqëson Rilindjen (portreti i Naim Frashërit).
Kartëmonedha 500 Lekë përfaqëson Pavarësinë (portreti i Ismail Qemalit).
Kartëmonedha 10000 Lekë me simbolet e flamurit kombëtar dhe himnit (portreti i Asdrenit).

Kartëmonedha 200 lekë

Portreti i shkrimtarit të shquar Naim Frashëri, simbol i periudhës së Rilindjes Kombëtare, në këtë kartëmonedhë shoqërohet me elemente të tjera grafike që, në të njëjtën kohë, përmbajnë dhe përcjellin simbolikën letrare. Kjo simbolikë, në të dyja anët e kartëmonedhës, na sjell ndërmend rëndësinë e veprës së Naim Frashërit dhe dashurinë e shprehur nëpërmjet veprimtarisë së tij letrare ndaj atdheut. Kështu, në anën e përparme të kartëmonedhës gjejmë në plan të parë portretin e shkrimtarit dhe në sfond një libër të hapur. Ndërsa, në anën e prapme është vendosur pamja e shtëpisë ku ka lindur Naim Frashëri dhe një fletë ku janë shkruar vargjet e tij: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqipëtar” dhe një përfytyrim artistik i penës së tij.

Kartëmonedha 500 lekë

Në anën e përparme të saj është vendosur portreti i Ismail Qemalit, simboli i shqiponjës dykrenare të flamurit të pavarësisë, së bashku me penën me të cilën u nënshkrua akti i pavarësisë. Ndërsa në anën e prapme, është zgjedhur të vendoset ndërtesa ku zhvilloi punimet Qeveria e Përkohshme e Vlorës, sot Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, një përfytyrim artistik i dhomës ku u mor vendimi dhe telegrafi me të cilin u shpërnda lajmi i shpalljes së Pavarësisë.

Kartëmonedha 1000 lekë

Kartëmonedha ka në anën e përparme portretin e Pjetër Bogdanit, shkrimtar, klerik e figurë e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare, të marrë nga frontespici i veprës së tij “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum), si dhe një skemë e idesë së tij mbi eklipsin e diellit. Në anën e prapme, në qendër të kartëmonedhës paraqitet një simbol i idesë së Bogdanit me diellin në qendër. Në të djathtë ka një pamje të kishës katolike të Vaut të Dejës, ndërsa djathtas, anash dhe poshtë është vendosur vlera e kartëmonedhës.

Kartëmonedha 2000 lekë

Kartëmonedha me vlerë 2000 Lekë mban portretin e Mbretit ilir Gent. Kjo kartëmonedhë, në pjesën e përparme mban portretin e Mbretit ilir Gent dhe disa monedha të prera prej tij. Në anën e pasme të kartëmonedhës paraqitet bima medicinale Gentiana lutea, aftësitë kuruese të së cilës janë zbuluar prej tij, evidentohen elemente të arkitekturës së antikitetit, si dhe një detaj i stilizuar i anijes liburne.

Kartëmonedha 5000 lekë

Personaliteti simbol i kësaj kartëmonedhe është zgjedhur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), heroi ynë kombëtar dhe figura më e shquar e historisë së popullit tonë, portreti i të cilit shquhet në pjesën e përparme të kartëmonedhës. Në anën e pasme është vendosur pamja e përgjithshme e Kështjellës së Krujës, përkrenarja dhe monumenti i Skënderbeut mbi kalë, që gjendet në qendër të Tiranës.

Author: admin