Një shqiptar në Kanada ka fituar një milion dollarë në shortin Lotto Max më 18 tetor. Gazmen Hashani, baba i tre fëmijëve kontrolloi dy herë për t’u siguruar saktë nëse kishte fituar kur skanoi biletat e tij, raporton Global News. “Bileta e fundit që kontrollova thoshte 1 milion dollarë”, tha 49-vjeçari.
“Nuk mund ta besoja dhe e skanova edhe dy herë të tjera. Kur tha të njëjtën gjë, e futa shpejt biletën në xhep”. Hashani shkoi në shtëpi dhe priti të vinte gruaja e tij për të ndarë lajmin. “Kur i thashë se fitova 1 milion dollarë, ajo filloi të dridhej. Ajo ishte shumë e lumtur dhe e emocionuar për familjen tonë”, tha ai.
Ai shtoi se ka në plan t’i përdorë paratë e fituara për të bërë një paradhënie për një shtëpi. “Trupi dhe mendja ime ndihen të qetë – një ndjenjë që nuk e kam përjetuar kurrë më parë”, tha ai.