Apeli i nje gruaje, e cila ka një histori familjare me Covid 19 dhe rrezikon shume nese preket prej tij

“Sot kam një apel për të gjithë ata që kanë një familjar të prekur nga COVID 19. Për të gjithë ata që luftuan me këtë sëmundje apo janë duke luftuar!

Ju drejtohem ju e që kuptoni nën rreshta, që s’keni nevojë për fjalë të mëdha, që nuk thurrni intriga e thashetheme të vogla dhe kanceroze në zyrat apo më mirë skuthlliqet e shpirtit dhe mendjes. Ju që njësoj si unë sot apo dje kishit një të afërm të prekur nga COVID 19. Që ashtu si unë nuk vuanit për çfarë kjo shoqëri meskine e ata sy të vegjël që deri dje të bënin karshillik me maskat e hequra apo më mirë me maskat e pavëna të shikojnë sot me dyshim, të kryqëzojnë e të qëndrojnë larg se mos dhe ti je i prekur e do i infektohen nga prezenca jote, hedhin baltë dhe fshihen në frikërat e tyre bosh, por ti vuan se nuk mund t’i shërbesh të afërmit tënd ashtu siç do ta bëje po të kishte çdo sëmundje tjetër.

 

#Unë kam një sëmundje autoimune! #Unë jam me Miastenia Gravis! Unë jam një nga ata shumë persona në Shqipëri që vijnë në punë çdo ditë! Unë kam 4 muaj që nuk e heq maskën nga fytyra ime! Unë jam një bijë, një bashkëshorte, një nënë, një motër, një kushërirë, një e afërme, një kolege, një shoqe dhe një mike e një personi që ka luftuar dhe po lufton me COVID 19!

 

Unë jam një qytetare që do të këshilloja çdo kënd të vendoste maskë!

 

 

Unë jam një qytetare që kritikova dhe kritikoj çdo kënd që nuk vë maskë në ambiente të mbyllyra! Unë jam një nga ju që mund të infektohem me COVID 19 por ndryshe nga ju pasojat mund të jenë fatale!

 

Por unë nuk jam asnjë nga Ju! Ju në sytë e mi, e sytë e shumë prej qytetarëve që po si unë panë në vështrimet tuaja distancimin social që duhet ta ruanit prej fillimit të pandemisë, por që e tundët si flamur fitoreje se më thyet, nuk jeni më të mirë dhe nuk qëndroni më lart se kushdo që lufton me këtë sëmundje e që mund të jetë një kërcënim i vërtetë për shëndetin tim.

 

Ju që përmendni familjet tuaja të shenjta, Vendosni maskën dhe mbrojini nga vetja Juaj e papërgjegjshmëria Juaj në këto 4 muaj! Por mbi të gjitha ju që jeni prindër edukojini fëmijët tuaj se të qënit i sëmurë nuk është turp!

 

Unë jam një Miastenike e diagnostikuar që kur isha 28 vjeç! Unë e kam adaptuar jetën time dhe unë sot nga ju mësova mësimin më të mirë të jetës! Nuk është sëmundja që të vret, përkundrazi kjo e fundit të dikton një stil të ri jetese, por janë paragjykimet ato që të lënë shijen më të hidhur në gojë, ato që në të vërtetë të tjetërsojnë! COVID – 19 nuk është një sëmundje për të cilën duhet të kesh turp apo të fshihesh si struci në rërë!

 

Vendoseni maskën Ju që keni frikë se do të infektoheni, por mbi te gjitha vendoseni maskën për të mbrojtur ata shumë persona që nuk flasin për sëmundjen e tyre se kanë frikë nga paragjykimi Juaj ! #Maska Të Mbron Ty dhe më Mbron Mua!

Author: admin