Njerëzit e bullizuar janë ata që bullizojnë më tepër! Kjo shprehje jo gjithmonë është me vend, por në rastin e Dea Mishel duket se merr kuptim të plot.
Banorja e “Big Brother Vip 2” së fundmi ka ndarë me konkurrentët e tjerë brenda shtëpisë eksperiencën e saj me këtë fenomen. Dea ndër të tjera u shpreh se bullizmi tek ajo ka nisur që në moshë të hershme kur ishte në fillore.
Ndonëse duke qeshur blogerja rrëfeu se në disa shkolla që ka ndërruar shokët e bullizonin për syzet apo edhe për faktin që ishte e ngathët.
Mirëpo në një format si “Big Brother” duhet menduar çdo fjalë që nxirret nga goja. Sepse ndjekësit janë shumë të vëmendshëm, dhe në rastin e Deas e kanë goditur me fjalët e saj.
Pas historisë së saj të bullizimit, ndjekësit i kanë sjellur ndër mend “humorin e zi” që bëri disa kohë më parë me jetimët.
“Prandaj bullizon jetimët”, “Pastaj ti u rrite dhe bullizove jetimët”, janë vetëm disa nga komentet e shumta në faqen zyrtare të “BBV” në Instagram.
Çfarë tha Dea më herët në videon e saj?
Në postimin e saj blogerja bëri një batutë për fëmijët jetimë duke thënë: “Fëmijët jetimë kur u kërkohet të vizatojnë shtëpi, vizatojnë një shtëpi normale apo një institucion.”
Gjatë realizimit të videos, ajo e thotë edhe vetë që nuk duhet ta bëjë këtë shaka, madje e përsërit disa herë dhe normalisht prek një tematikë të ndjeshme, por nga ana tjetër, ka vendosur ta postojë videon.
Megjithatë më vonë ajo u pendua dhe e fshiu postimin për shkak të kritikave dhe qëndrimeve të ndjekësve që nuk kanë qenë aspak dakord me postimin e saj. Fatkeqësisht videoja u bë virale dhe u shpërnda menjëherë në mediat sociale.