Historia e dashurisë së Arben Skënderit dhe Denata Toçes është një romancë e bukur nga e cila kanë ardhur në jetë dy fëmijë.
Psikologia Toçe ka folur së fundmi në emisionin “Goca dhe Gra” për puthjet në çift në sy të fëmijëve, ku ka treguar edhe detaje nga raporti i saj. Ajo ka rrëfyer vështirësitë në lidhjen me partnerin i cili ka qenë i martuar më herët.
“Unë vij nga një marrëdhënie me një partner që ka qenë ish i martuar dhe ka një fëmijë nga bashkëjetesa e tij e mëparshme. Jo se ka kjo një recetë por është e lidhur me tipologjinë e familjeve tona, si jemi rritur ne dhe në përgjithësi ne vijmë me një sërë handikape emocionesh dhe ndjenjash. Përgjithësisht prindërit tanë nuk është se na pyesnin si ndjehemi dhe ata vetë nuk i kanë pyetur se si ndjehen. Dhe në dinamikën e marrëdhënies së tyre ne ishim të detyruar t’i shikonim vetëm nga vrima e çelësit nëse ata përqafoheshin dhe nuk i kemi parë dhe ngaqë nuk i kemi parë format e marrëdhënies dhe sensualitetin e kemi keqkuptuar.
Vonë e kemi kuptuar se ç’do të thotë, madje edhe procesin e marrëdhënies mes burrave dhe grave ne e kemi menduar si një proces marrëdhëniesh shumë të dhimbshme Se nuk na i ka shpjeguar njeri. Unë u lidha me një partner që e kisha shumë e vështirë ta perceptoja faktin që ka qenë ish i martuar. Unë idealizoja një partner që ishte i lirë nga këto gjëra, që nuk kishte historik. Por ashtu ndodhi, dashuria nuk është se ka recetë. Vështirësia që unë kam patur për t’u lidhur me të, se im shoq tani e thotë me humor që të kam ardhur pas për dy vite, vështirësia ka qenë kjo: përgjegjësia për të pasur një fëmijë tjetër në krahë dhe unë e mendoja që marrëdhënia ime me partnerin do të duhej të ishte shumë diskrete në sytë e atij. Pasi e perceptoja që një fëmijë që ishte në proces, se ka para divorc, në proces divorci dhe pas divorcit. Dhe situata post divorc kaq delikate sa mua më vinte natyrshëm të mund të shmangia gjeste afektive ndaj të atit. Tregohej qartazi që ne ishim në krahë të njëri tjetrit por nuk kishte gjeste të tilla, jo se unë nuk di ta ndaj erotizmin me të. Sot ne jemi partnerë të martuar, kemi krijuar një ekuilibër emocional të tillë që përpara Antuanit dhe çunave të mi ne të shprehim dashurinë edhe duke u puthur, edhe duke u përqafuar edhe duke kapur dorën.
Nuk mendoj se ka asnjë gjë të keqe të puthesh në sy të fëmijës, por në sy të Antuanit, ishte një proces që ka zgjatur 24 muaj ose më shumë, derisa ai shëndetshëm të pranonte marrëdhënien tonë. Nuk është e thjeshtë që fëmija të pranojë që prindërit nuk janë me njëri tjetrin dhe pastaj raportin e tyre të radhës”, ka treguar psikologia.