Fjalët e Luizit për ‘Top Channel’, reagon Lori Hoxha: Për ne nuk ka qënë e lehtë! S’përbaltim punën e askujt

Producentja e ‘Big Brother VIP Albania’, Lori Hoxha ka reaguar për herë të parë publikisht ndaj kritikave të kolegëve dhe publikut mbi spektaklin e njohur. Ajo ka shpërndarë një video të Luiz Ejllit, i cili thotë se është meritë e ‘Top Channel’ dhe stafit që ata janë aty dhe për përmasat që ka marrë formati.

Videon, Lori e ka shoqëruar me një shkrim të gjatë. Ajo shkruan se ka ndjerë presion të madh nga audienca dhe kolegët, që e cilëson si të vështirë për t’u “përtypur”. Hoxha shton më tej se njerëzit që punojnë për këtë produksion kanë një moto: “Ul kokën dhe puno” duke sqaruar se nuk përbaltin punën e askujt.

Reagimi i plotë i Lori Hoxhës:

Big Brother Vip është një nga produksionet më të bukura por dhe më të vështira që Top Channel ka dhe vetëm grupi që punon për të 24 orë në ditë për muaj të tërë mund ta kuptojë. Por, kohët e fundit kam ndjerë që tek ta presioni që vjen me audiencën gjigande që ky program kap është shpeshherë e vështirë për t’u kapërcyer, dhe të sharat e vazhdueshme nga publiku i thjeshtë por dhe ai mediatik është i rëndë për t’u përtypur. Të arrish këtë lloj suksesi ka të mirat dhe të këqijat e veta, por ajo që nuk duhet harruar për tu përmendur është merita.

E shoh që gjullurdia e madhe që krijohet sfumon fjalët e mira që mund të thuhen në përditshmëri sepse kritika ndonjëherë është më e zhurmshme, por dua të marr kohën për të falënderuar publikisht të gjithë grupin e bashkëpuntorëve të mi në këtë produksion gjigand për punën e palodhur por dhe forcën mendore që kanë për të përballuar kritikat, mallimet dhe hetuesinë publike. Nuk ka qënë e lehtë dhe unë e di. Ne kemi një moto: ul kokën dhe puno. Nuk përbaltim punë e askujt dhe nuk përfshihemi në morinë e komenteve që vijnë nga komentues të thjeshtë por dhe kolegë.

Fjalët e banorëve në video vijnë si një përqafim në këtë pikë të punës kur audienca është maksimale por një pjesë e shoqërisë dështon së vlerësuari spektaklin dhe preferon të bëjë atë që rëndomtë e çon vendin tonë në vështirësi, të mendojë që punën e tjetrit di ta bëjë më mirë.

Më lumturon të dëgjoj po ashtu fjalët e Luizit dhe vlerësimin që i jep medias që po e mbështet se jo pak herë ndodh që personazhet që bëhen pjesë në një program të suksesshëm mendojnë që janë më të rëndësishëm se platforma që i jepet dhe pasi i marrin më të mirën, mundohen ta shkelin. Unë kam një besim të madh se gjërat e mira nuk bëhen vetëm dhe mirënjohja të vlen gjithmonë. Top Channel i ka dyert e hapura për të gjithë që ruajnë të njëjtat vlera në të cilat ai është ndërtuar: dashuria për të bukurën, dëshira për të punuar, shpresa për të ardhmen dhe vullneti për të menduar përtej.

Në 22 vitet e kaluara, Top Channel ka dëshmuar sesi bëhet më së miri një spektakël dhe nën kujdesin e tij kanë lindur dhe janë rritur disa nga personazhet më të dashur shqiptar që sot janë më të mirët në atë që bëjnë. Janë krijuar po ashtu fenomene sociale që kanë arritur të sfumojnë dhe vështirësitë më të mëdha, duke i dhënë kështu një produksioni televiziv, fuqinë për të lehtësuar realitetin në ato orë transmetimi. Kjo meriton një duartrokitje publike sepse Big Brother mbaron por mirënjohja dhe njerëzillëku mbeten.


Po çfarë tha Luizi?

“Të gjithë e kishim një emër para të futeshim këtu, dikush më shumë dikush më pak, por në këtë pikë jemi të gjithë të vetëdijshëm që jashtë është bërë shumë e madhe. Kjo është deri diku është meritë e jona se kemi dhënë show, kemi lënë edhe nam, por më e madhja është e këtyre, se këta na kanë drejtuar kamerat, mikrofonat. Nuk na i kanë drejtuar të tjerët, as një televizion tjetër. Big Brother është një patentë që blihet nga një x vend, mund ta kishte marrë një media tjetër por nuk e ka marrë, atyre duhet t’ja dimë për nder, se ata më ofruan, ata më morën në telefon. Media të tjera kanë plot spektakle, por nuk më morën. Tani të rrit Topi, të krijon Topi e t’i të ikësh…të gjithë për vlera monetare ikin”

https://www.instagram.com/bigbrotheralb_vip/?utm_source=ig_embed&ig_rid=05dd87ee-a7ee-45a9-a3d5-e893dc42c775&ig_mid=3A4E185A-3A87-4FFE-9230-9C71641E7D01

Author: portali