Helmimi i fëmijëve me ‘çokollatën Kinder’/ BE nis hetimet: Në 9 shtete të Europës…

Agjencia evropiane e shëndetësisë tha të mërkurën se po hetonte dhjetëra raste të raportuara dhe të dyshuara për salmonelë, të lidhura me ngrënien e çokollatës në të paktën nëntë shtete, njofton Reuters.

Ferrero i tërhoqi vezët e çokollatës Kinder Surprise nga raftet në Britani dhe Irlandë të hënën në atë që tha se ishte një masë paraprake. Kompania italiane e ëmbëlsirave tha të mërkurën se asnjë produkt Kinder i lëshuar në treg nuk kishte dalë me salmonelë.

Agjencia e Bashkimit Evropian nuk e përmendi Ferrero-n apo ndonjë kompani tjetër në një deklaratë, por paralajmëroi të mërkurën se rastet e raportuara ishin kryesisht te fëmijët nën 10 vjeç.

“Përhapja karakterizohet nga një përqindje jashtëzakonisht e lartë e fëmijëve që shtrohen në spital, disa me simptoma të rënda klinike si diarreja me gjak”, tha Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

 

Britania ka numrin më të madh të incidenteve me 63 raste të konfirmuara që nga 5 prilli, tha ECDC, duke shtuar se vende të tjera me raste të mundshme ose të konfirmuara janë Franca, Irlanda, Belgjika, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Suedia dhe Norvegjia.

 

Agjencia shëndetësore e BE-së tha se po hetonte, së bashku me Autoritetin Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA), 134 raste të konfirmuara ose të mundshme të salmonelës.

 

Tërheqjet e produkteve janë nisur në disa vende, duke përfshirë Belgjikën, Francën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun dhe Britaninë, tha agjencia e BE-së.

Author: portali