“Hiperrealizmi i zbatuar në poezi” – nga Andris Lleskai

Dihet që zhvillimet teknologjile kanë ndikuar e ndryshuar artin. Shembujt janë të panumërt.

Surealizmi e kubizmi në pikturë lindën nga kritika se fotografia është një “pikturë” më e mirë sesa ajo që bënte piktori, dhe ky i fundit, në shenjë proteste, nxori këto rryma të reja për të bërë diferencimin ndërmjet fotografisë e pikturës. Piktori kështu, nuk paraqiste më realitetin siç është, por sipas syve të tij krijues, dhe për të hyrë në veprën e tij duhet të ishe i pajisur me imagjinatë, përfytyrim e dije, sepse arti nuk mund të ishte për çdo shtresë shoqërore. Për çdo shtresë është fotografia.

Kështu teknologjia nxori dhe modernizmin, postmodernizmin, metamodernizmin, etj.

Një rrymë mjaft interesante është hiperrealizmi. Për herë të parë si term ai u përdor nga belgu Isy Brachot si titull në një galeri të tijën në Brukselin e vitit 1973, por si lëvizje kulturore kishte nisur shumë më herët. Hiperrealizmi, apo quajtur ndryshe superrealizmi, e riktheu artistin tek reflektimi i pastër i realitetit madje deri duke e konkuruar atë.

Zhvillimi i aparateve fotografikë, më vonë telefonit, lenteve, e “zoom”, zmadhimit deri në detaje të imazhit të shkrepur, solli lehtësira e mundësi që artistët nuk i kishin patur më parë. Sot hiperrealizmi është arti që në mënyrë të pabesueshme e mashtron syrin me veprat e tij: kemi piktura të realizuara me lapsa që ngjajnë me fotografi, skulptura (dylli, plastike, etj.) që ngjajnë me individin e vërtetë, gatime (torta, pasta, etj.) që ngjajnë me sende të vërteta.

Gjithsesi, hiperrealizmi nga kundërshtarët e tij, konsiderohet më shumë si aftësi teknike sesa si një krijim më vete.

Por sa interesante është që këtë rrymë kulturore ta praktikosh në poezi?!… Patjetër që don shumë punë e aftësi teknike si: pasuri fjalori, mjeshtëri gjuhësore, studim të detajeve, konture unike, e sa e sa nerva, por që në fund të fundit, ia vlen. Fundja, këtë ka dashur të bëjë letërsia, gjatë gjithë jetës së vet.

Rikryqëzimi
——————

Ti duhet të më kesh mallkuar,
dhe mund të thuash “Mirë ta bëra!
Sa herë të ndihesh i dashuruar,
të të braktisin, të tëra!…”

Vetëm prej Teje kam frikë,
një peng i gjimnazit me vete,
Ti e di si gabojnë të rinjtë,
fryjnë si veriu, kaptojnë dete.

Dhe mallkimet e Tua më zënë,
për të tjerat nuk ndihem fajtor,
paçka se veç e vërteta e thënë
me Ty do ndihem shumë horr.

Hijeve në dritare u strukeshim,
Ti e mbuloje kokën me çantë,
aty ku fshehurazi putheshim:
-Për Ty e kam vjedhur një bankë!

E mbaj me vete atë dërrasë,
më kujton të ndihem kriminel
por më rikthen prapë në klasë,
e karma prej trupit s’më del!

Edhe nëse s’më ke mallkuar
por kishës ndez qirinj e bekon,
çfarë do të thotë e kam kuptuar
të të braktisin kur nis e i don.

Dhe ashtu si Ti, bëhem i fortë,
as di të lus, as të përgjërohem,
rilind pasi vdes Krisht në Golgotë;
e veç për Ty nis e kujtohem…

* * *

Dhe kërkoj dikë ta dua,
t’i mbush vargjet me rimë,
vonë, veç diçka më ke kërkuar,
si Ti, mos ta braktis Poezinë.

Dhe të jam rikthyer përherë,
subjekt i imi, tjetërkënd gëzon,
përpiqem të gjej diçka me vlerë
ta riprovoj: -Dashuria-Egziston!…

Por nuk e gjej tjetërkund askund,
zhgënjehem-zhgënjehem vazhdimisht,
që kur jemi ndarë e gjer tani në fund,
veç rilind e rikryqëzohem si Krisht.

#AndrisLleskai

Author: portali