Me siguri nëse keni parë serialin shqiptar “Njerëz dhe fate” jeni dashuruar me dy personazhet kryesore që luheshin nga Arben Derhemi dhe Robert Ndrenika. Dyshja kanë ruajtur prej asaj kohe një miqësi të ngushtë, që ka vazhduar për vite të tëra. Nisur nga komentimi i një fotoje me të, të shfaqur në emisionin “Rudina”, Arben Derhemi zbuloi disa detaje mbi aktorin Robert Ndrenika dhe lidhjen mes tyre.
“Ai ka ardhur në ditëlindjen e Darlit, djalit tim, vetëm për miqësinë që kemi sepse ka qenë pas operacionit, bajpasit. Ishte një moment pak delikat për të. Për mua është një miqësi e vërtetë sepse nuk ka asnjë bazë interesi, njohjeje, farefisnore, thjesht është një miqësi e cila është formuar dhe konsoliduar gjatë kohëve që kemi punuar me njëri-tjetrin. Na ka ngjitur shumë miqësia me njëri-tjetrin, e kemi dashur shumë njëri-tjetrin.
Është një njeri i jashtëzakonshëm, që ka qejf gjatë gjithë kohës të bëjë humor, i rezervuar në kuptimin e mirë të fjalës për të mos dalë gjithmonë në televizione të ndryshme, ma ka mësuar dhe mua këtë sepse ‘Kur nuk ke çfarë thua, më mirë mos dil’ më thotë herë pas here. ‘Kur nuk ke një gjë të re, përsërit veten’. Berti, përveç të tjerave është edhe shumë inteligjent dhe gjatë kohës që rri me të, mëson shumë për jetën”,- ka treguar Derhemi.