Importuesit: Rrezikojmë të mos furnizohemi vaj për shkak të çmimit të lartë

Bllokohen shitjet e importuesve të vajit të lulediellit për furnizimet e reja. Bordi i transparencës të çmimeve të shportës për këtë javë mbajti të pandryshuar çmimet e shitjes të vajit të lulediellit në 321 lekë për litër, ndërsa importuesit pohojnë se për muajin prill çmimi i vajit të furnizuar nga Hungaria arriti 400 lekë për litër.

 

Aktorë të tregut ngrenë shqetësimin se çmimet e tregjeve të huaja nuk po ndiqen me rigorozitet nga bordi i transparencës, me arsyetimin se në tregun e brendshëm po tregtohen furnizimet e muajit të kaluar, që janë blerë me çmim më të lirë.

 

“Bordit i ofrohen online të gjitha faturat e furnizimeve të reja që janë bërë nga operatorët. Për këtë muaj furnizimet e reja nuk u morën në konsideratë, pasi sipas anëtarëve të bordit në treg po tregtohet vaji ushqimor i blerë që në muajin mars. Duke qenë se në periudhën e nisjes të rritjes të çmimit konsumatorët krijuan rezerva të larta vaji aktualisht shitjet kanë rënë dhe kërkesa e tregut mund të mbulohet nga rezervat e tregtarëve ka qenë arsyetimi i bordit”, pohon një nga importuesit në vend.

 

Mbajtja e çmimit të pandryshuar ka detyruar importuesit të bllokojnë shitjet, pasi humbjet nga tregtimi nën kosto janë të larta. “Në Bullgari çmimi i vajit ka arritur 380 lekë për litër, ndërsa në Hungari 400 lekë për litër. Furnizimet nga Maqedonia e Veriut janë bllokuar për shkak të moslejimit të importit dhe krijimit të rezervave për popullatën. Bordi nuk mund të marrë në konsideratë faturat e vjetra të ndonjë operatori dhe të mos ndryshojë çmimet, pasi kjo po krijon humbje për të tjera kompani që nuk po ambalazhojnë vaj prej 1 muaji”, veçon tregtari i vajit që kërkoi të mbetet në kushtet e anonimatit.

 

Po ashtu nga shitjet nën kosto po dëmtohen edhe operatorët e karburanteve. Çmimet e naftës prej disa javësh pas rritjes mbi 230 lekë për litër po kontrollohen nga bordi i transparencës. Sakaq operatorët e tregut ankohen se me këto ndërhyrje, Bordi po nxjerr jashtë loje tregun e lirë, duke u hequr mundësinë kompanive të zbusin lëvizjet e çmimeve, që varen nga faktorë të shumë si çmimi ditor, kursin e këmbimit, duke bërë që bizneset jo vetëm të mos fitojnë, por edhe të shesin nën kosto.

 

Sipas Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, deri tani janë mbyllur rreth 160 pika. Sipas tyre do të ishte më përfitim për tregun, nëse do të hiqej dorë nga fiksimi i çmimeve dhe të shtoheshin kontrollet për të kapur abuzimet që mund të ndodhin në treg.

 

Rrezikohet furnizimi me vaj

 

Përveç çmimit të lartë vendi rrezikon edhe furnizimin me vaj të lulediellit për shkak të rënies të lartë të ofertës në tregjet e huaja. Importuesit shpjegojnë se dy janë rrugët e sigurimit të vajit. Furnizimet nga vendet e Europës me çmim shumë të lartë, pasi oferta është shumë e ulët dhe furnizimet që kanë nisur nga Ukraina me çmim 40 lekë më të lirë për litër, por që mbartin riskun e mos mbërritjes të ngarkesës për shkak të luftës. Bizneset në Ukrainë për shkak të frikës të asgjësimit të rezervave të tyre po tentojnë të gjejnë rrugë eksportimi në formën e trans-shiping (kalimi nga bankerat e trenave nëpër botet të kamionëve të transportit drejt 3 shteteve që kufizohen me Ukrainën, si: Polonia, Hungaria dhe Rumania. Përveç riskut të mbërritjes të furnizimeve tarifat e transportit janë 2-fish më të larta.

 

Ç’po ndodh me markat ushqimore

 

Fiksimi i çmimeve të tregtimit të produkteve ushqimore të shportës nga bordi i transparencës ka krijuar edhe një tjetër shqetësim te tregtarët. Sipas tyre barazimi i çmimeve për të gjitha markat, po ndikon në zhdukjen e brandeve ushqimore, si në rastin e tregtimit të vajit ushqimor. Çmimi i kompanive që kanë investuar prej vitesh në cilësi dhe marketing po barazohet me marka dhe produkte që kanë hyrë shumë vonë në tregun shqiptar./Burimi: Monitor/

Author: portali