Liljana Kondakçi është një ndër këngëtaret më të pëlqyera nga shumë breza. Artistja është një prej atyre që janë vlerësuar gjithmonë për stilin e veçantë në vitet ’80 – ‘90. Ashtu si shumë personazhe të tjerë publikë që në ato vite ishin shembull për shumë gra dhe vajza në Shqipëri, edhe Liljana ka shënuar një lloj revolucioni në modë me veshjet e skenës dhe kinemasë.
“Fillimisht ka qenë e vështirë, sepse televizioni nuk ka pasur gardërobë, më pas u krijua një e tillë. Kinostudio kishte gardërobën e saj. Unë kam zgjedhur gjithnjë copa dhe ngjyra vetë. Dikur shikonim edhe revista, kisha shumë kuriozitet, s’mund të dilja çdo natë me të njëjtën veshje”, – tregon Liljana, duke treguar edhe veshjen që i ka mbetur peng.
“Më ka mbetur në mendje një fustan që e kam veshur në një koncert recital ku kam qenë me Kozma Dushin, por nuk ekziston si filmim. Ai ishte me pala korrenti, ishte material i derdhur, ngjyrë bojëqielli me lule të vogla. Ka qenë me mëngë me frudha. Një tjetër fustan kam pasur edhe në një festival ku kam kënduar me Ema Qazimin, kanë qenë veshje shumë të bukura”,- thotë ajo.
Ndonëse vitet ikin pa kuptuar, ajo merr gjithmonë vëmendje për pamjen e saj të jashtme. Liljana, dikur dhe sot, është një model stili, gjithmonë në formë. “Sekreti”, tha ajo, “qëndron te gjeni, palestra, ushtrimet fizike, kujdesi për ushqimin, por edhe muzika – ajo që më mban gjithmonë në formë.”/Burimi “Albeu”