Çfarë ndodhi në takimin pesë orësh mes Lulzim Bashës dhe drejtuesve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike? I cilësuar si një pajtim mes kryetarit të PD dhe këtij forumi, duket se tashmë mes tyre është vendosur paqja.
Të ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, tre drejtues të këtij forumi, kryetari Belind Këlliçi, sekretari i përgjithshëm Grigels Muçollari dhe anëtari i kryesisë, Ares Ypi, deklaruan se i sheshuan të gjitha mosmarrëveshjet që kishin lindur pas hartimit të listës së kandidatëve për deputetë dhe pas këtij takimi gjithçka do jetë e fokusuar në aksionet politike kundër qeverisë.
Por të tre të rinjtë e PD treguan edhe çfarë ndodhi në takimin e të martës mbrëma mes tyre dhe kryetarit Basha.
Belind Këlliçi tregoi se e rëndësishme ishte që Basha tha se e kishte kuptuar gabimin se fakti që në parlament nuk është asnjë përfaqësues të këtij forumi ishte totalisht gabim dhe dhe se në ndryshimet në statut do sanksionohet për atë që quhej pjesëmarrje në organet vendimmarrëse të partisë dhe në organet e zgjedhura që nisin nga kryetar bashkie e deri deputet.
Sekretari i këtij forumi Grigels Muçollari shtoi se për pesë orë anëtarët e forumit e kritikuan Bashën për gjithçka që ka funksionuar mes tyre dhe këtij organizmi dhe në fund ai i premtoi se nuk do të ndodhë më që forumi të anashkalohet.
Muçollari ishte një nga firmëtarët e deklaratës së Astrit Patozit që kërkoi largimin e Bashës nga drejtimi i PD.
Të pyetur nëse ata mund të ndjehen të zhgënjyer sërish nga Basha, të tre përfaqësuesit thanë gati njëzëri që as nuk mendojnë këtë. Të pyetur nga paneli i gazetarëve se çfarë mendimi kanë për disa të rinj që janë pjesë e grupit parlamentar të PD, si Ervin Salianji, Rudina Hajdari, Izmira Ulqinaku etj, kryerari Këlliçi tha se asnjë prej tyre nuk është përfaqësues i forumit Rinor të Partisë Demokratike.