Me një bashkëshort të sëmurë që vuan nga probleme të shëndetit mendor, 32 vjeçarja Elona Bregu, është ngjitur sot në një nga kullat më të larta të ish TEC-it në qytetin naftëtar dhe kërcënon se do të hidhet prej saj.
Nëna e dy fëmijëve të vegjël duket se nuk ka suportuar sot problemin e transferimit nga një pozicion pune në tjetrin dhe në shenjë proteste me ndihmë e të shoqit është ngjitur në kullë dhe kërcënoi se do ti japi fund jetës.
Fatmir Bregu, bashkëshorti i Elonës, i cili rreth 10 vite më parë ka bërë të njëjtin veprim për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike pasi policia i kish bllokuar një motor, tregon se gruaja e tij u detyrua që të kryejë këtë veprim, pasi në Kuçovë problemet nuk gjejnë zgjidhje.
Sipas tij, Elonës i është komunikuar sot transferimi nga punonjëse e pastrimit në banjot publike të qytetit, në pastruese nate në pastrimin e qytetit.
Transferimi nga turni i parë në turnin e tretë, duket se nuk është pritur mirë nga ana e gruas, e cila pa shpresë se do të gjente zgjidhje për problemin kërcënon me hedhjen nga kulla.
Në lidhje me ngjarjen është vënë në alarm dhe firma sipërmarrëse e pastrimit të qytetit, e kontraktuar nga bashkia, ku punon nëna e dy fëmijëve.
Vasillaq Golemi, sipërmarrës në këtë firmë shprehet se gruaja ishte punësuar një vit e gjysëm më parë me ndërmjetësimin e bashkisë, pasi vinte nga familje me probleme sociale.
Sipas tij deri ditën e sotme ajo nuk ka pasur asnjë problem me punën dhe nuk është hequr nga puna, por për shkak të një mirëorganizimi më të mirë është vendosur nga stafi teknik transferimi i saj nga pastruese në banjot publike në pastruese nate.
Problemet sociale të familjes Bregu nuk janë të panjohura dhe për Zyrën e Shërbimit Social në Bashkinë e Kuçovës.
Kelment Llangozi, drejtor i këtij shërbimi bën me dije se katër vite më parë gruaja është detyruar të braktis fëmijët si pasojë e probleme ekonomike dhe nga sëmundja e bashkëshortit.
Ka qënë ky shërbim, i cili ka strehuar fëmijët në një institut për një muaj dhe më pas sërisht janë marë nga familja. Llangozi shprehet se kryefamiljari merr ndihmë ekonomike si i paaftë nga bashkia dhe ka qënë po ky institucion që ka punësuar zonjën si pastruese.
Problemet social – ekonomike në qytetin e Kuçovës janë reflektuar ndjeshëm tek banorët e qytetit naftëtar, ku vetëm brenda një jave janë regjistruar dy kërcënimi për hedhjen nga lartësia.