Ndodh në Gjirokastër/ I humbi mushka, pas 4 vitesh sheh një njoftim në Facebook që ndryshoi gjithçka





Një histori e rrallë vjen nga Gjirokastra.

I humb mushka në fshatin Fushë-Bardhë të Gjirokastrës dhe e gjen pas katër vitesh me anë të Facebook-ut në fshatin Rehovë të Vithkuqit.

Familja në të cilën u gjend mushka e kishte blerë atë nga një i panjohur nga Vlora kundrejt shumës 130 mijë lekë.

Në redaksinë e Fiks Fare ankohet K. Sh, të cilës i kishte humbur mushka “Katra” dhe se e kishte gjetur atë nga një njoftim në Facebook ku e kishin nxjerrë për shitje.

Humbjen e “Katrës” K.. e kishte denoncuar edhe në Komisariatin e Gjirokastrës, por në 4 vjet nuk ishte gjetur. Fatmirësisht, duke lundruar në Facebook në faqen e blegtorisë ajo sheh mushkën e saj.




“Katra” ka lindur në shkurt të 2004 dhe ka qenë 12 vjeçe kur më humbi. Për katër vjet, edhe pse e kam denoncuar, nuk është bërë asgjë. Kur e pashë në Facebook nuk po u besoja syve dhe kam kontaktuar me zotërinë sikur doja ta blija. Kam ardhur nga Zvicra për të”, shprehet K….

Bashkë me gazetarin e Fiks Fare dhe të zonjën e mushkës, i drejtohen familjes në Rehovë e cila “Katrën” e kishte reklamuar në Facebook për ta shitur. Zonja I, ku aktualisht është mushka, tregoi se atë e kishin blerë para 3 vjetëve nga një zotëri nga Vlora me emrin K… “E njihnim se vjen me bagëti në malin tonë“, shprehet znj.I.

Për “Katrën” kjo familje kishte paguar plot 130 000 lekë. Pas dy vjetësh kishin dashur ta shisnin dhe djali i saj i vogël kishte pasur mendimin ta nxirrnin në Facebook. “Me çfarë pamë na u mbush mendja që mushka është e zonjës, por ne nuk mund ta japim badjava se kemi harxhuar lekë, plus nuk jemi dhe në gjendje”, shprehet zj. I.

Nga ana tjetër, Klaudia nuk mund të blejë mallin e saj pasi e ka rritur vetë mushkën dhe është e saja. Këtë gjë mbetet ta zgjidhë dhe Prokuroria e Gjirokastrës, pasi për këtë çështje është hapur një proces penal.

Author: admin