Në hijen e Kullës së Lul Bardhokut (Bardhit)
Shkruar nga Prof. Gjon Frani Ivezaj
Në përgjithsi, të gjitha kullat e Grudës ishin të ndërtuara rrënxë malit dhe me një fushpamje nga lindja, në mënyrë që rrezet e diellit ta përshkonin gjatë gjithë ditës qemerin e derës nga merrte dritë edhe shpia. Në një pozicion të tillë ishte ndërtuar edhe kulla e Lul Bardhokut në të cilën pati lindur edhe Baca Luli. Një kullë tipike e Malsisë së Madhe, rrënojat e së cilës gjinden afer Kronit të Nik Smakës në Peiq të Grudës. Një kullë me krehje kafkani (kallkani) me frengji (dritore të vogla) dhe një derë druni të madhe, qemeri i së cilës ishte në formë harku, me gurë të latuar dhe po me shtyllakë guri të skalitur me simbole pagane. E veçanta e kësaj kulle ishte se ndër simbolet e tjera figuronte edhe një dorë e skalitur në krahun e çmaktë (majtë) të saj.
Dyshemeja e kullës ishte në truall e shtruar me rrasa guri dhe e niveluar me botë (dhe e kuqe) e cila me kalimin e kohës, nga gjurmët e familjarëve kishte krijuar një masë çimentimi të njëtrajtshme. Një tjetër veçanti e kësaj kulle ishte prezenca e dy oxhaqeve me një distancë rreth dy metra larg njëra tjetrës gjë që e bënte këtë konak të mkamun për sigurimin e mirqënjes së ropve dhe miqve që vinin me bujtë.
Në dimër të dy oxhakët ishin funksional në të cilët mund afroheshin e të nxeheshin të gjithë. Në pjesën e brendshme në katin e dytë ngjitja bëhej me shkallë druni. Çardaku dhe tavan ishte i punuar me tra dhe anza dërrasash. Oborri i kullës ishte rreth 30 meter katror i rrethuar me mure lethi (ledhe) murë i thatë guri rreth 2 m lartësi. Në dy anët e oborrit bënin hije dy mana njëri i galm e tjetri i bardhe, frutat e të cilëve i pjeknin raki.
Mbas kullës, në pjerrësi të malit ishte i ndërtuar vathi i cili për nga madhësia i zinte diku rreth 300 kokrra berre (dele). Duke qënë toka të varfra në bashtina mbillnin vetëm elb, bathë e theker e cila u mjaftonte për të plotsuar nevojat familjare, kjo për faktin se pas ndarjes së vllaznisë, Lul Bardhoku si më i vogli sipas zakonit pleqt dhe motra e vogël duhej të shkonin me të.
Me rritjen e të motres me erz e me nder, virtyte këto që i shtuan lavdin, fati e çoi të martohej në Shkodër, kurse vetë u martua me një vajzë prej Luhalit me të cilën gëzoi e trashëgoi hijen e mirë të kullës za mirë e të ndershme të Bardh Nikës në Peiq të Grudës./PortaliShqiptar.com