Një djalë i ri, pasi u kontrollua tek mjeku, doli me sëmundje të keqe dhe qëndronte gjithë ditën i vetmuar në shtëpi nën kujdesin e së jëmës. Një ditë ai nuk po duronte dot më dhe vendosi të dalë nga shtëpia. Rrugës shikoi shumë dyqane por vendosi të futet tek njëri që shiste disqe me muzikë. Aty rastisi vajzën më të bukur që kishte parë ndonjë herë. Ishte një rast tipik i dashurisë me shikim të parë. U afrua tek banaku prapa të
cilit qëndronte vajza. Ai nuk vinte re asgjë tjetër përveç saj. Ajo e pa në sy dhe i buzëqeshi. “A mund të të ndihmoj?”, tha ajo me zërin më të ëmbël se asnjëherë tjetër. Ai vetëm donte ta puthte menjëherë aty ku ishte, por u përmbajt dhe duke i ngecur goja tha: Unë, ëh, unë dua të blej një disk muzike. Ai mori një rastësisht dhe pagoi paratë. “A do që të ta paketoj me letër?”, e pyeti ajo duke i dhënë edhe një herë
buzëqeshjen më të bukur. Ai pohoi me kokë, ajo shkoi të merte gjërat qe i nevojiteshin për paketimin e diskut. Ajo kthye, paketoi diskun që djali kishte zgjedhur dhe ai e mori e më pas u largua. Ditën tjetër djali u kthye dhe bleu një disk tjetër, e mori të paketuar si zakonisht. Ai donte shumë ti kërkonte vajzës të dilte me të por nuk kishte kurajo. Djali përsëriti të njëjtën gjë për disa javë në vazhdim. Ai vendosi çdo
disk në koleksion dhe as që i hapte kur kthehej në shtëpi sepse ai shkonte vetëm për të parë vajzën në atë dyqan. Mamaja e kuptoi këtë dhe i tha djalit që të ia thotë vajzës dhe ti shprehë asaj atë çfarë ai ndjen. Kështu, të nesërmen djali shkoi të blejë diskun dhe në kohën që vajza u largua për të marë letrën e paketimit, ai shkruajti numrin e tij të telefonit në një letër dhe iku. Disa ditë më vonë bie telefoni,
mamaja përgjigjet, ishte vajza. Ajo donte të fliste me djalin. Mamaja e dëshpëruar i tha vajzës se i biri i kishte ndërruar jetë. Më vonë, e jëma donte të kujtonte djalin e saj, shkoi tek dhoma e tij dhe hapi koleksionin e disqeve. Aty ajo gjeti të gjitha disqet të paketuara secili dhe asnjë prej tyre nuk ishte hapur. Ajo hapi të parën dhe gjeti një shënim. Ia kishte lënë vajza ditën e parë që e pyeti nëse e donte të
paketuar diskun. Në shënim shkruhej: Çkemi, mendoj se je shumë i bukur, a ke dëshirë të dalësh me mua? Ajo hapi të dytën dhe gjeti po të njëjtin shënim. Hapi të tretën, të katërtën e kështu me radhë dhe që të gjitha kishin të njëjtin shënim. Vajza, që ditën e parë dhe deri në ditën e fundit i kishte kërkuar djalit që të dilnin bashkë. Mësimi: Askush nuk e di çfarë kemi në mëndje apo në zemër, duhet ti
shprehim ndjenjat dhe mendimet tona pa ndjerë frikën e refuzimit. Tek e fundit, si i thonë një fjale, jo-në në xhep e kemi. Edhe pse tregimi fokusohet në raportin midis dy të rinjve, mendoj që e njejta logjikë mund të aplikohet në të gjitha drejtimet e jetës. Duhet kurajo për të provuar diçka të re, një intervistë të re pune, një biznes të ri. Nuk kemi mundësi tjetër për ta kuptuar nëse do të kemi sukses në një drejtim
vetëm se duke e provuar. Dështimet janë pjesë të jetës miq. Një njeri i zgjuar ka thënë se është më mirë ta provosh dhe të mos e arrish sesa të mos arrish as ta provosh diçka. Shpresoj shumë që të ju ketë pëlqyer tregimi dhe si gjithmonë ju kërkoj të shprehni mendimet tuaja në lidhje me tematikën e kësaj faqeje. Ju falenderoj shumë që lexoni postimet e mia dhe ju rikujtoj këshillën më të bukur në botë: mendjen në vend, të tjerat rregullohen të gjitha./historimotivuese.com