Mediat britanike vijojnë që publikojnë artikuj për emigrantët shqiptarë që udhëtojnë ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Daily Mail ka ardhur me një tjetër shkrim ku është ndalur në një prej fshatrave të Shqipërisë, Muzhakës.
Në artikull theksohet se ky fshat mbahet në këmbë nga “paratë britanike”, kjo pasi shumica e të rinjve janë larguar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe sjellin paratë për familjarët e tyre që jetojnë në Muzhakë.
Shkrimi i Daily Mail:
Ky është një fshat i vogël në kodrat e Shqipërisë, shtëpitë e të cilit janë ndërtuar nga paratë e emigrantëve shqiptarë që punojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Muzhaku piktoresk ka një popullsi prej 1200 banorësh, ku çdo familje ka të paktën një pjesëtar që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.
Në 15 vitet e fundit, të paktën 300 të rinj që lindën dhe u rritën në këtë fshat, janë larguar me kamionë drejt Britanisë. Ata fitojnë 6 herë më shumë para se sa në Shqipëri.
Me paratë që fitojnë në Mbretërinë e Bashkuar, ata i kanë dërguar në Muzhakë tek familjarët e tyre ku kanë ndërtuar dhjetra shtëpi e banesa disakatëshe, duke zëvendësuar shtëpitë përdhese.
Në qytetin fqinj të Burrelit, kryebashkiaku Agron Malaj tha për MailOnline se 2000 të rinj janë larguar nga rajoni në kërkim të punës vetëm në 12 muajt e fundit, duke i lënë fshatrat atje të duken si qytete fantazmë.
“Rajoni ynë ka parë që shumica e njerëzve të largohen dhe të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, sepse ata e shohin atë si një vend të mundësive, ata mund të fitojnë një rrogë të mirë ndërsa këtu opsionet për ta janë të kufizuara, tha ai.
“Të gjithë në Burrel dhe fshatrat fqinje kanë një pjesëtar të familjes që është larguar në Britani dhe në disa raste të gjithë fëmijët e një familjeje kanë shkuar duke lënë vetëm prindërit.
“Nëse jetoni këtu ose në fshat jashtë qytetit, nuk ka shumë mundësi, kështu që nuk i fajësoj të rinjtë që janë larguar, ne kemi parë një brez të tërë burrash të shkojnë.
Gjithçka filloi rreth 15 vjet më parë dhe atëherë ishte me kamionë dhe ishte e shtrenjtë, ndoshta 20,000 £ për të hyrë në MB, por tani është me varka të vogla dhe çmimi ka rënë, rreth 3,000 £ kështu që është shumë joshëse për ta.
“Njerëzit që shkojnë në Britani i dërgojnë të ardhurat e tyre në shtëpi dhe ne kemi familje që i kanë rindërtuar shtëpitë e tyre me paratë që kanë bërë në Britani.”
Nuk është e vështirë të kuptosh pse njerëzit duan të largohen nga Burreli dhe zonat përreth, duke e kthyer atë në një qytet fantazmë pasi paga mesatare javore për ata me fat për të gjetur një punë është 125 £ krahasuar me 640 £ në MB.
Në mesin e atyre që janë larguar janë tre djemtë e Aliut dhe Hike Trumcit, të cilët jetojnë në shtëpinë e tyre të re të ndërtuar me pagat e tre djemve të tyre që u larguan nga Muzhaku për në MB duke hyrë ilegalisht me kamionë dhe më vonë duke kërkuar azil.
Arturi më i madh, 42 vjeç është një shofer transporti në Londër, ndërsa vëllezërit e tij më të vegjël Asimi, 36 vjeç dhe Hamiti, 29 vjeç, jetojnë në Bath ku janë shoferë taksie.
Duke qëndruar në kopshtin e shtëpisë së tij të re dykatëshe, Ali tregoi me gisht shtëpitë në luginën piktoreske poshtë tij dhe tha: ‘Ajo është ndërtuar me para nga fëmijët në Birmingham, ajo nga Bristol, ajo ka fëmijë në Liverpool.
“Të gjitha shtëpitë e reja që shihni para jush janë ndërtuar me ndihmën e familjes në MB”, më pas duke treguar një projekt të papërfunduar ai tha: “Edhe ajo që po ndërtohet, është me para nga MB.
Askush prej nesh këtu nuk do të kishte qenë në gjendje të ndërtonte shtëpi të reja të rehatshme si kjo pa ndihmën e fëmijëve tanë në MB dhe për këtë ne jemi të gjithë përjetësisht mirënjohës.