Miraka është fshati mes Elbasanit dhe Librazhdit ku kërkohet thesari i Aleksandrit të Madh. Fshati ka pozicion të çuditshëm gjeografik. Në anën veriore ndodhet një shkrep i lartë që banorët e thërrasin Guri i Borjes. Shkëmbi gri ka një varg shpellash dhe majash të thepisura.
Është mjaft e vështirë të ngjitesh në majën e malit. Megjithatë pikërisht në këtë vend ekzistojnë rrënojat e një kështjelle të lashtë.
Në anën jugore ndodhet Ura e Kamares mbi lumin Shkumbin. Ura u ndërtua në mesjetë. Ajo lidh dy anët e rrugës antike Egnatia, e cila pasi zbret nga malet e Polisit, vazhdon rrëzë gurit të Borjes dhe më pas gjarpëron drejt Ohrit.Sipas gojëdhënës, por edhe sipas intenerarit të hartave që aktualisht ndodhen në duart e disa kërkuesve në perëndim, në gurin e Borjes ose diku rreth urës së Kamares fshihet një thesar i paçmuar i Aleksandrit të Madh.
Historia e thesarit ka ngacmuar kureshtjen e eksploratorëve që shekullin e kaluar. Por kërkimet i intensifikuan sidomos pas viteve 90. Në mes të këtyre viteve, një kërkues 72 vjeçar nga Anglia arriti me një hartë në dorë në të cilën ishte e detajuar e gjithë vija Egnatia.
“Turisti” i vjetër kërkoi ndihmën e banorëve të zonës, madje kreu edhe disa gërmime private përgjatë rrugës shekullore si në banjot antike në Bradashesh, në kalanë e Mengëlit, në Malin e Borjes në afërsi të disa urave etj.
Kulmi i kërkimeve u regjistrua në vitin 2002 . Gjatë këtij viti në malin e Borjes u kryen gërmime nga ekspedita të posaçme qeveritare të ardhura nga Tirana. Aq e besueshme ka qenë prania e një thesari në malin e Borjes sa ekspeditat ruheshin nga forcat speciale të cilat nuk lejonin afrimin e kureshtarëve të thjeshtë.
Ende nuk dihet fati i gërmimeve në gurin e Borjes. Por sipas të dhënave kërkimet dështuan. Në fshat u përhap fjala se kërkuesit u tërhoqën të frikësuar pasi gjatë gërmimeve u vranë dhe u aksidentuan, madje një grup prej tyre u sulmua edhe nga gjarpërinjtë e shpellave.
Pas zhgënjimit në malin e Borjes, gërmimet u zhvendosën në kahun tjetër atje ku ndodhet ura e Kamares, një kryevepër mesjetare e ngritur në vitin 1715 nga Ahmet Aga Bicakciu, arkitekt i perandorisë osmane. Që nga ajo kohë ura u ka shërbyer banorëve të zonës së Polisit të cilët edhe sot e konsiderojnë atë si një dhuratë me vlerë.
Ura është shpallur edhe monument kulture. Ka pësuar disa grabitje gjatë 15 viteve të fundit. Një pjesë e gurëve të kalldrëmit janë zhdukur, ndërsa parmakët anësorë kanë pësuar dëmtime të mëdha dhe thuajse nuk janë më funksionale. Hajdutët kanë përvetësuar edhe një pllakë të shkruar arabisht e cila i dedikohej ndërtuesit të saj.
Gjatë vitit të fundit banorët e zonës kanë konstatuar disa gropa që hapen gjatë natës në rrënjë të rrepave që ndodhen përreth kësaj ure. Janë kërkues thesaresh që veç kazmave dhe lopatave tani po përdorin edhe pajisje të sofistikuara për të rënë në gjurmë të këtij thesari.
Kërkuesit e antikuareve dyshojnë se, diku në mal ose afër urës, fshihet një thesar. Dhe ethet e gjetjes së tij sa vijnë e shtohen. Banorët e Mirakës tashmë janë të bindur se diçka me vlerë fshihet në tokën e tyre.