Globalizimi i teknologjisë ka rritur numrin e bizneseve shqiptare që ofrojnë shërbime të Teknologjisë së Informacionit (IT) ndaj të tretëve.
Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT numri i bizneseve të reja (shtesa neto) në aktivitetin e “shërbimeve të teknologjisë së informacionit” ishte 625, duke shënuar hapjet më të larta nga të gjitha aktivitetet e tjera ekonomike në vend.
Në raport me vitin e mëparshëm rritja ishte 39%. Në vetëm pak vite, numri i kompanive në këtë fushë është dyfishuar, duke i kaluar 2 mijë.
Aleksandër Risilia administratori i kompanisë “Ritech Solutions” tha për “Monitor” se numri në rritje i bizneseve të reja është ndikuar nga shtimi i përdorimit të teknologjisë, por edhe avantazhit që ka sektori për të punuar në distance (remote).
“Teknologjia e informacionit si industri ka pasur një rritje masive në 2 vitet e fundit duke qenë se kërkesa për talente në rang global sa vjen dhe rritet dhe distanca është bërë gjithmonë dhe më e parëndësishme si pasojë e konceptit “smart working”. Ky trend reflektohet dhe në numrin e bizneseve të reja në IT si dhe në numrin e vendeve të punës. Në 2 vitet e fundit ka pasur dhe një rritje të konsiderueshme të pagave në kompanitë IT si pasojë e konkurrencës globale,” thotë ai.
Administratorja e kompanisë “DOT BALKANS” Edlira Nikaj pohon për “Monitor” se trendi është tërësisht në rritje për punësime të reja në IT dhe parashikohet të ketë po të njëjtën rritje për shume vite të ardhshme.
“Sipas një studimi të fundit të kryer nga Forumi Ekonomik Botëror i titulluar Raporti i Ardhmërisë së Punëve 2020, ekziston edhe shifra e zhvilluesit të softuerit në dhjetë profesionet më të mira dixhitale që do të shohin një rritje të kërkesës nga kompanitë në të ardhmen e afërt. I pasionuar, krijues dhe mendje hapur, zhvilluesi lëviz lehtësisht përmes një morie të dhënash që ai i organizon në vargje kodesh të afta për t’i dhënë jetë aplikacioneve komplekse dhe sistemeve kompjuterike. Ky profesion, kaq i kërkuar në ditët e sotme, për shkak të revolucionit dixhital në shumë fusha të jetesës, u ofron mundësinë të rinjve, të punojnë remote kudo ku ata ndodhen, e mbi të gjitha për kompani të huaja të cilat ofrojnë kushte optimale pune e pagese. Stafi akademik duhet tu përshtatet kërkesave të tregut, në mënyrë që të rinjtë vendas të jene të përgatitur më së miri,” shprehet ajo.
Të punësuarit në profesionet e lira në Shqipëri, duke përfshirë është atë të sektorit IT taksohen me tatim progresiv deri në 23%. Aleksandër Risilia nga “Ritech Solutions” thotë se kjo shkallë taksimi ka frenuar rritjen e bizneseve të reja. Me draftin e ri për tatimin mbi të ardhurat Ministria e Financave parashikohet të taksojë edhe të vetëpunësuarit e profesioneve të lira me taksim progresiv, që paguajnë zero tatim-fitim deri në xhirin e 14 mln lekëve.
“Në Shqipëri ky efekt ka qenë pak i vështirë për kompanitë, duke qenë se ekziston një sistem progresiv mbi tatimin e të ardhurave dhe kompanitë IT shpesh herë kanë paga që janë në rangun e taksimit prej 23%. Në përgjithësi trendi i rritjes së bizneseve dhe vendeve të punës në IT është pozitiv, por paketa e re e propozuar për tatimin mbi të ardhurat për të vetëpunësuarit rrezikon ta ndalojë këtë “hov” që po përjetohet nga bizneset në fushën e teknologjisë së informacionit”, thekson ai.
Nisma për ndryshimin e tatimit të vetëpunësuarve si profesionistë të lirë më herët është kundërshtuar nga grupet e interesit. Kontabilistët thanë se ndryshimet janë antikushtetuese, pasi të ardhurat e biznesit tatohen si të ardhura të punësuari në një biznes. MONITOR