Operacioni i SPAK, një prej të arrestuarve drejtori i Albpetrol, i besuari i Zeqos dhe Subashit/ Tjetra Ariola Kodra, që kishte ‘humbur kujtesën’

Fax News mëson detaje të reja nga operacioni i ndërmarrë nga SPAK, ku janë dhënë 20 masa sigurie për çështjen e dy inceneratorëve, të Fierit dhe të Elbasanit.

Burime bëjnë me dije se deri tani janë ekzekutuar 7 nga urdhër arreste, ndërkohë që operacioni është ende në vijim. 5 persona janë ende në kërkim, dhe 8 të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë.

Dy prej të arrestuarve për aferën e inceneratorëve jane Ariola Kodra, Administratore e kompanisë Integrated Energy BV si dhe Florian Muçaj, tashmë në krye të Albpetrol.

Ky i fundit ka qenë një prej njerëzve më të besuar të ish-kryebashkiakut të Fierit Baftjar Zeqo, dhe më pas ka vijuar bashkëpunimin edhe me Subashin, e madje ka garuar për kreun e socialistëve në qarkun që konsiderohet dhe ‘hambari i votave’ të së majtës.

Muçaj është arrestuar për rolin që ka pasur disa vite më parë, kur ka qenë pjesë e komisionit të prokurorimit për inceneratorin e Fierit.

Sa i takon Ariola Kodrës, ajo u bë e njohur gjatë marrjes së pyetjeve në Komisionin Hetimor Parlamentar për çështjen e inceneratorëve, ku për shumë nga ndodhitë ‘kishte humbur kujtesën’, duke mos preferuar që t’iu përgjigjej deputetëve.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se po ashtu është vënë në pranga Loran Dusha, administrator i kompanisë Integrated Technology Waste Treatment Fier, kompania koncesionare e djegësit të Fierit.

 

Lidhur me këtë aferë janë marrë në pyetje nga SPAK për orë me radhë dhe kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi si dhe deputeti socialist Alqi Bllako.

 

I vetmi zyrtar i lartë i arrestuar për çështjen e inceneratorëve është ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, i cili mbahet ende nën masën e arrestit me burg.

 

Në lidhje me inceneratorët, që për muaj e vite me radhë, u reklamua edhe si një nga arritjet më të mëdha të qeverisë së Edi Ramës, u ngrit dhe një komision hetimor parlamentar, ku u morën në pyetje nga punonjësit e rangut më të ulët, te deputetë, ministra dhe vetë kryeministri.

 

Ky i fundit e mbrojti sërish vendimin për të dhënë miliona euro ndaj disa kompanive fantazmë, me pretendimin e emergjencës mjedisore që kishte vendi ynë asokohe. Rama tha se kushdo prej zyrtarëve që mund të kishte zhytyr gishtin në korrupsion, nuk do të kishte më asnjë lidhje me të personalisht, dhe as me Partinë Socialiste.

Author: portali