Cikloni i fuqishëm me qendër në Detin Jon pritet të kushtëzojë nesër ditë të vërtetë dimërore.
Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje bore. Paradite priten intervale reshjesh të dendura bore, ndërsa pasdite vonë ose në mbrëmje reshjet do të vijnë duke u lokalizuar dhe duke u dobësuar. Temperaturat pritet të luhaten nga – 4 deri në 1 gradë Celsius.
Edhe Shqipëria dhe tërë rajoni nesër pritet të ndikohen nga cikloni i fuqishëm i pozicionuar në Detin Jon. Në perëndim dhe bregdetin shqiptar priten reshje shiu, ndërsa në lindje, veri dhe juglindje priten reshje bore. Reshje afatshkurtra bore mund të paraqiten edhe në disa vise ku reshje e borës janë fenomen i rrallë.
Reshje të dendura bore nesër priten edhe në veri të Malit të Zi, pjesë të Luginës dhe Maqedonisë së Veriut. Shumë ultësira të cilat nuk kanë pas borë sivjet pritet të zbardhen, por nuk priten reshje ekstreme bore.
Ditëve të ardhshme na pret mot i ndryshueshëm, me intervale kohore me diell dhe reshje sporadike bore. Reshje pak më të theksuara priten të enjtën në disa vise të Kosovës. Temperaturat minimale pritet të ulen deri në -10 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale deri në 5 ose 6 gradë Celsius./MeteoBallkan/Shqiperiaime.com.al