SPAK ka kërkuar sot autorizimin e Kuvendit për të arrestuar Alqi Bllakon, pasi dyshon që gjatë kohës që ai ka qenë sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit.
Emri i Bllakos është lakuar shumë sidomos kohët e fundit, kur zhvilloi punimet edhe komisioni hetimor parlamentar.
Por kush është e shkuara e Alqi Bllakos?
Ai ka përfunduar studimet e larta pranë Universitetit të New York-ut Tiranë si dhe ka kryer disa studime pas-universitare, Master Shkencor në drejtimin Financë dhe Kontabilitet nga Universiteti i Neë York-ut dhe MBA me drejtim Banke dhe Tregje Financiare në bashkëpunim me Institutit Kurt Bosch në Zvicër, diplomuar ne te treja rastet si student i ekselences.
Në vitin 2013 ai u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, e cila në atë kohë drejtohej nga ministri i LSI-së, Lefter Koka.
Në CV-në e tij thuhet se gjatë atyre katër viteve ai ka iniciuar dhe udhëhequr reforma të rëndësishme administrative dhe politike, duke përballuar me sukses sfidën e rritjes së performancës së kësaj Ministrie dhe duke garantuar rrugën drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të mjedisit shqiptar.
Teksa LSI-ja doli nga koalicioni e për rrjedhojë e humbi edhe ministrinë e Mjeidisit, Bllako nisi punë si sekretar i Përgjithshëm në Presidencë pranë kreut e shtetit, Ilir Meta.
Këtë pozicion ai e mbajti deri në shkurt 2019, kur vendosi të largohet nga Presidenca, e për rrjedhojë edhe nga LSI-ja. Në atë kohë i erdhi oferta për tu emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve e Landfilleve.
Pas dy viteve në këtë drejtori ai u kandidua nga kryeministri Rama edhe në një nga zonat e Tiranës për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit, duke fituar edhe mandatin, i cili do të diskutohet së fundmi në Këshillin e Imuniteteve edhe Mandateve nëse do ti hiqet dhe do ti hapet rruga arrestimit të tij.