Pse duhet patjetër të kemi një virgjëreshe përreth?

Virgjëresha është shenja që simbolizon virgjëreshat, por nuk mund ta merrni këtë simbolikë fjalë për fjalë.

Unë mund t’ju siguroj se të kesh ditëlindjen në muajin shtator nuk do të thotë domosdoshmërisht që je i virgjër. Një numër i konsiderueshëm i njerëzve të shenjës së Virgjëreshës rrinë beqarëve dhe nuk martohen asnjëherë, por ka shumë prej tyre që vendosin të martohen dhe të krijojnë familje.

Ata mund ta bëjnë këtë nëse ndiejnë ndonjë shpërthim të papritur të pasionit, pasi martesa nuk është diçka që vjen natyrshëm për tipin e Virgjëreshës; por është për t’u habitur se si shumica e tyre e zotërojnë punën në grup dhe sesa të përkushtuar janë për familjet e tyre.

I martuar apo beqar, është mjaft e thjeshtë të dallosh një njeri të shenjës së Virgjëreshës në publik. Tipari më i dukshëm është qetësia që e karakterizon; ai nuk është llafazan dhe do të shquhet si një njeri i vetmuar. E shihni atë djaloshin e qetë dhe tërheqës, me enciklopedinë nën sqetull? Atë që në mënyrë sistematike vë re edhe detajet më të vogla, me një mendje që rreh si të jetë një orë me sahat? Nëse e shikoni më nga afër, ju mund të shihni që ai pothuajse po mat çdo minutë për të parë vlerën e saj. Ai është një Virgjëreshë! E shikoni atë vajzën e qetë, të bukur, me sytë e ëmbël, që po pret urbanin? Vini re jakën e saj akull të bardhë dhe qëndrim e saj të ftohtë. Ajo do ti ketë gati monedhat për biletën në dorën e saj. Ajo as nuk e kalon nëpër mend që ti kërkojë shoferit të autobuzit ti ulë çmimin e biletës. Ajo është një Virgjëreshë!

Tubimet apo eventet sociale nuk janë vendet më të mira për të gjetur këta njerëz perfeksionistë. Ju keni më shumë gjasa që ti gjeni ata nëpër zyra, teksa punojnë jashtë orarit zyrtar, sesa në kafene apo lokale duke pirë koktej. Nuk është e lehtë për një person të shenjës së Virgjëreshës për t’u çlodhur mjaftueshëm gjatë një aktiviteti, pasi në thelb ata nuk ndihen rehat në turma. Ata ndonjëherë bëjnë përpjekje për të ndjekur ritmin e festës, pavarësisht stresit që përjetojnë, por thirrja ndaj detyrës është shumë këmbëngulëse për ti lejuar ata të jenë moskokëçarës. Ju rrallë do të shihni një Virgjëreshë që të bëj fllucka në ajër apo të ndërtojë kështjella në rërë. Ata janë shumë të zënë për të ëndërruar ditën dhe zakonisht janë shumë të lodhur që ti drejtojnë yjeve urime gjatë natës.

Gjëja e parë që ju do të vini re në lidhje me Virgjëreshën tipike është përshtypja që ai jep se ka një problem serioz në mendjen e tij që lufton për ta zgjidhur, ose ndjesine se atë diçka po e shqetëson, të cilën nuk e di njeri. Ai ndoshta është vërtet i shqetësuar. Meraku dhe shqetësimi janë ndjenja që vijnë natyrshëm tek ai. Madje dikush mund edhe të thotë se ai është i lidhur emocionalisht me këtë ndjenje. Kjo është diçka e paprekshme dhe e pakapshme, por pas buzëqeshjes së tij të këndshme, gjithmonë do të duket se fshihen probleme të mëdha.

Edhe pse ashedentja dhe pozicionet e tjera natale mund të modifikojnë pamjen tipike të një Virgjëreshe, në përgjithësi ju mund të shikoni se fiziku i tij është i fortë dhe sytë janë jashtëzakonisht të bukur e të qetë. Sytë e një personi të shenjës së Virgjëreshës shpesh herë janë aq të qartë,sa ju pothuajse mund të shihni reflektimin tuaj në to. Ato shndrisin nga inteligjenca dhe qartësia e mendimit. Ka një pastërti dhe qetësi në shprehjen e tipareve te njerëzit e shenjës së Virgjëreshës, që duket sikur e mohon ekzistencën e këtyre shqetësimeve të fshehta.

Shumica e tyre janë jashtëzakonisht tërheqës dhe kanë hundë, veshë dhe buzë shumë elegante. Pa dyshim që ka hir dhe sharm të dukshëm tek këta persona dhe në momente të veçanta ata shfaqin edhe mendjemadhësi . Virgjëreshat janë shumë kritikë ndaj fotografive të tyre dhe tensionohen në ekstrem në lidhje me mënyrën se si duken, si në foto ashtu edhe në jetën e përditshme. Nëse jeni i vëmendshëm, ju do ta gjeni atë para pasqyrës, atëherë kur mendojnë se askush nuk është duke i parë. Ata janë gjithmonë të veshur mirë, me shije dhe në mënyrë të rregullt dhe të pastër.

Personi i shenjës së Virgjëreshës është zakonisht një njeri me trup mesatar (me siguri nuk është trupmadh), por ai është muskuloz dhe ka shumë më tepër forcë nga ajo që tregon pamja e tij e brishtë. Këta njerëz mund të kryejnë një punë shumë më tepër intensive se ata të shenjave të tjera të Zodiakut, për një periudhë më të gjatë kohe- nëse arrijnë të shmangin momentet stresuese në këtë proçes. Edhe pse në pamje të jashtme ata jan të aftë dhe të qetë, shqetësimet e brendshme ia gërryejnë shpirtin, ju dëmtojnë sistemin e tretjes dhe ju prishin bilancin e tyre emocional. Pas çdo situate nervoze serioze, është fakti që ata marrin përsipër më shumë pergjegjësi sesa mund të menaxhojnë dhe pastaj e lodhin veten e tyre maksimalisht, për të përmbushur detyrimet e tyre. Ata mund të jenë të qetë dhe të relaksuar kur mekanizmat e tyre të ndërlikuar dhe delicate, po ecin mirë dhe rrotat e tyre nuk janë të bllokuara nga lodhja e trurit.

Njerëzit e shenjës së Virgjëreshës janë pa dyshim të besueshëm dhe të sinqertë. Megjithatë, ata janë të aftë të shtiren sikur janë të sëmurë, kur nuk duan të shkojnë diku ose të bëjë diçka. Në këtë moment, talenti i fshehur i Virgjereshave për të aktruar vjen në ndihmë.Herë pas here, ata arrijnë ta bindin veten nga sëmundje të tilla imagjinare, por shumica e raste të tilla janë jetëshkurtra.

Ata janë njerëz që sillen në mënyrë strikte përsa i përket të ngrenit, të veshurit dhe të dashuruarit. Ai bën më shumë banja dhe dushe se katër njerëz sëbashku. Ai gjithashtu ka ide shumë të qarta në lidhje me shëndetin, nuk ka shumë durim ndaj dembelizmit, dhe ka shumë pak iluzione për jetën dhe njerëzit, madje edhe kur është i dashuruar. Mashkull apo femër, dashuria nuk mund tia errësojë sytë këtyre njerëzve. Sado të dashuruar të jenë, ata arrijnë të shohin çdo të metë dhe mangësi që ekziston, qoftë te marrëdhënia, qoftë të partneri.

Sigurisht, ju nuk duhet të krijoni idenë që të gjithë të lindurit në fund të gushtit ose shtatorit janë të bezdisshëm, acarues dhe dogmatik. Shumica e Virgjëreshave ndriçojnë falë mendjes së zgjuar të Mërkurit dhe ata shfaqin një bukuri verbuese, që është e vështirë ti rezistosh. Sophia Loren, e shenjës së Virgjëreshës,mund të jetë shembulli më i mirë për ta ilustruar këtë që sapo thashë.

Ju mund të hasni një person të kësaj shenjë, i cili mund të ketë qenë aq shumë i zënë me punë, sa që bëhet i pakujdesshëm për veshjen apo pamjen e tij/saj të jashtme. Kjo mund tju gënjejë, prandaj prisni edhe pak; herët ose vonë ju do të shihni atë të nxjerrë krehrin nga xhepi i tij apo të rastin e femrës të lëshojë flokët dhe ti valëvis ato më femërore se kurrë.

Edhe pse ata ëndërrojnë shumë pak ëndrra të pamundura, Virgjëreshat shpesh kanë një tipar kontradiktor që duken si ëndërrimtarë të vërtetë- sikur janë të mbështjellë me ylber dhe po qëndrojnë mbi re, ndërkohë që llogjika e ftohtë e mendjes së tyre refuzon të besojë në këto ëndrra.

Kur ata janë të mërzitur nga vulgariteti, budallallëku apo pakujdesia, njerëzit e shenjës së Virgjëreshës papritmas mund të bëhen të çuditshëm, nervoz dhe të acaruar. Por shumicën e kohës ata janë njerëz të butë dhe mjaft të këndshëm për ti patur vërdallë, sidomos në dhoma me persona të sëmurë. Disa nga infermieret më të mira janë të lindura në këtë shenjë, plot empati dhe aftësi përkujdesjeje.

Kur ju të keni dhimbje koke, miku juaj i shenjës së Virgjëreshës me shumë gjasa ka për të vrapuar për në farmacinë më të afërt për ju. Nëse ju ndodheni në shtëpinë e tij, ai nuk ka pse të shkojë, sepse ka shumë mundësi që të ketë një dollap të mbushur plot me ilaçe, si një farmaci në miniaturë. Në këtë dollap, zakonisht do të ketë qetësues për çdo lloj dhimbje, që nga dhimbjet e kokës, deri të mëlçia apo stomaku.

Shikojeni ndonjëherë pa rënë në sy. Ai kurrë nuk do të marrë një ilaç, nëse nuk njihet më parë me çdo përbërës të tij dhe çfarë funksioni ka. Prandaj ai do të jetë një ekspert për tju treguar se cili ilaç do jetë më i miri për dhimbjen e kokës suaj, duke u nisur nga ajo që e shkaktoi atë. Virgjëreshat që udhëtojnë shpesh, do të marrin një kuti me ilaçe me vete, kudo që të shkojnë. Ata mund të mbajnë një valixhe shtesë, vetëm për tableta dhe shishe me ilaçe. Nëse ata janë duke përdorur një markë të caktuar të sapunit ose shampos, ata do ta marrin edhe atë me vete gjithashtu. Do të ishte një fatkeqësi për ta, nëse ngecen në një qytet për disa ditë dhe aty nuk gjejnë produktin që përdorin rregullisht. Ai zakonisht i blen sapunët e tij dhe gjërat e ndryshme sipas okazioneve, sepse i gjen lirë- ose blen një duzinë- dhe kjo është një tjetër arsye që ai nuk pëlqen të blejë gjëra rrugës. Ndonjëherë një njeri i shenjës së Virgjëreshës, edhe shishen me ujë do ta marrë me vete në udhëtime.

Mos qeshni, a e dini se çfarë mund të ndodhë në barkun e një personi kur disa organizma të huaja brenda ujit të pijshëm, mund të hyjnë në sistemin e tretjes? Virgjëresha mund t’ju thotë. Kur këta njerëz krijojnë zakone, i formojnë seriozisht ato dhe vajtja me pushime ose në një udhëtim biznesi nuk është justifikim për ti thyer ato.

Një person i shenjës së Virgjëreshës mund ti kritikojë pohimet tuaja me argumenta tepër të drejtpërdrejta, aq sa tju acarojë, por nëse ju jeni në një situatë të vështirë, ai do tju ndihmojë me të vetmin motiv për tju shërbyer. Nëse puna në zyrë ka ngecur dhe ju e keni humbur shpresën për të arritur afatin e caktuar, ai do të përveshë mënget dhe do ti futet punës suaj me dëshirë. Nuk është egoja e tij ajo që e bën atë ti marrë përsipër gjërat kur është krijuar një situatë kaotike.

Është vetëm mendja e tij e rregullt e Mërkurit që nuk mund ti durojë zvarritjet, detajet e lëna pas dore ose qëllimet e paqarta. Ai madje mund ti ketë rregulluar gjërat para se tju ketë pyetur, pa tendencë, sepse të sjellë rregullin në një situatë kaotike është diçka që i vjen së brendshmi. Ai është nga ata lloj të ftuarish që do të ndihmojë të zonjën e shtëpisë duke larë enët pas një darke feste.

Ashtu si Peshorja, Virgjëresha është i shpejtë për të mohuar veset dhe të metat e tij. Ai duket pothuajse i verbër ndaj gabimeve të tij dhe duket se është i paaftë për të parë dobësitë e tij me aq qartësi sa sheh çdo gjë tjetër. Por e vërteta është se ai i sheh këto të meta dhe arrin ti shohë ato deri në detajet më të imta, por nuk duron dot të dëgjojë që ja përmendin. Mundohuni ti thoni një mashkulli tipik të shenjës së Virgjëreshës se ai është kritik, një njeri që merakoset, i ngarkuar, jashtëzakonisht i shqetësuar me dietën apo shëndetin dhe ju do të përballeni me një mohim të shpejtë. Kush, unë? Ai nuk është asgjë nga këto të gjitha.

Ju do të jeni në gjendje të dalloni një person të Virgjëreshës në një dhomë të mbushur plot me njerëz pa problem fare. Ai është i paaftë për të qëndruar ulur për një kohë të gjatë. Pas një kohe, ai do të sillet dukshëm i shqetësuar dhe do të trokasë këmbën në dysheme ose do të ndryshojë karrige dhe do të shfaqë një ndjenjë të paqartë urgjence, sikur të jetë vonë për në një tjetër takim diku.

Në të njëjtën kohë, shprehja e fytyrës do të portretizojë një qetësi të caktuar, tamam si një maskë. Dëmi i plotë i shkaktuar nga intensiteti nervor i Virgjëreshës rrallë tregohet plotësisht në pamjen e jashtme, por me siguri mund të manifestohet deri në brendësi të sistemit të tretjes.

Është e rëndësishme të përmendet këtu planeti Vullkan (një planet që nuk është parë akoma) i cili është sundimtari i vërtetë i shenjës së Virgjëreshës, zbulimi i të cilit thuhet se është i pashmangshëm. Zbulimi i udhëheqësit të vërtetë të një shënje ndryshon karakteristikat e të lindurve nën këtë shenjë. Shumë astrologë mendojnë se Vulkani, planeti i bubullimave, do të bëhet i dukshëm përmes teleskopëve brenda pak viteve.

Pak para ose pasi Vullkani të lëvizë mjaftueshëm afër tokës për t’u parë, Virgjëreshat që do jetojnë në atë moment ta si dhe ato që do të lindin në të ardhmen, do të humbasin shumë nga presioni Mërkurial, i cili shkakton tendosje nervore. Mërkuri do të përputhet më mirë me shenjën e ajrit të Binjakëve se me shenjën e tokës së Virgjëreshës. Ky planet do të ndërhyjë në cilësitë e lindura të Virgjëreshës siç janë guximi dhe vetbesimi dhe do të nxjerrë në pah shumë nga tiparet tipike të të lindurve të kësaj shenje. Pasi planeti i Vullkanit të zbulohet, planeti i fundit që mbetur për t’u identifikuar, sipas parashikimeve të lashta është Apollo, sunduesi i vërtetë i shenjës së Demit.

Pastaj çdo shenjë e zodiakut do të përgjigjet me vibracione ndaj sundimtarëve të ligjshëm-dymbëdhjetë shenja dhe dymbëdhjetë trupa qiellor. Është interesante të theksohet se Vullkani, në mitologjinë greke, është një nga perënditë çalamane me mendje brilante dhe të shkëlqyer. Disa meshkuj të shenjës së Virgjëreshës, bien në sy se çalojnë pakëz dhe shumë prej tyre kanë një lloj ecje apo qëndrimi të veçantë.

Ju nuk do ti shihni këta meshkuj të jenë dorëlëshuar në para apo në ndjenja. Ata janë zakonisht të kujdesshëm në të dyja fushat, duke e dhënë dashurinë e tyre në heshtje dhe në mënyrë të qëndrueshme, pa shumë shfaqje demonstrative dhe po kaq konservatorë janë edhe me paratë. Cuditërisht, aq sa të gatshëm janë njerëzit e shenjës së Virgjëreshës për të ndihmuar të tjerët, aq antipati kanë për të pranuar favore dhe ndere nga të tjerët. Ata nuk duan të ndihen të detyruar ndaj askujt, për asnjë arsye. Dhe ata nuk duan të varen nga askush, përveç vetes së tyre.

Frika e rrënjosur thellë brenda tyre ndaj varësisë në pleqëri, bën që shumica e tyre të bëjnë një jetë aq ekonomike, sat ë quhen kopracë. Por kjo në të vërtetë është një fjalë shumë e ashpër për ta. Kur kanë më shumë siguri dhe nuk kanë nevojë të shqetësohen për të ardhmen, Virgjëreshat do të shpenzojnë para më lirshëm, ndonëse edhe atëherë do të shpenzohet me përfitim maksimal.
Pavarësisht që ai nuk ka asnjë simpati për njerëzit që parazitojnë, ai padyshim që është bujar kur një mik është në telashe.

Ky mashkull i Virgjëreshës, i cili është pothuajse dorështrënguar, ku bëhet fjalë për nevojat e tij personale, do të japë ndihmën e tij financiare për ata që me të vërtetë e meritojnë atë, apo për njerëzit që ai me të vërtetë i pëlqen apo i do. Por ju kurrë nuk do ta gjeni atë duke shpenzuar para në mënyrë të shkujdesur, sepse harxhimi kot është një nga bezditë e tij më të mëdha. Meshkujt e kësaj shenje punojnë shumë për të arritur gjerat që duan dhe gjërat ekstravagante dhe të shtrenjta nuk arrijnë ti tundojnë ata. Ata zakonisht kanë disa gjëra të mprehtë për të thënë në lidhje me shpenzimet e tepërta dhe për njerëzit që janë tepër dembela për të punuar.

Megjithatë, ai është më shumë kritik ndaj vetes sesa është ndaj të tjerëve. Ai thjesht nuk mund të rrijë pa parë të metat, sepse ai ka lindur me cilësinë për të parë edhe plasaritjen më të hollë në një vazo qelqi. Ai do të jetë po kaq kritik ndaj vonesave, sa është edhe për shpërdorimet. Në fakt, vonesa është shpërdorim në vetvete. Pra është humbje kohe dhe për Virgjëreshën, koha është vetë jeta. Kështu që duhet të jeni e përpiktë, nëqoftëse doni të shmangni mosmiratimin e tij thumbues.

Është e vështirë për të kuptuar pse Virgjëreshat ndonjëherë quhen egoist, sepse ata zakonisht gjejnë më shumë kënaqësi duke u shërbyer të tjerëve sesa të kënaqin ambiciet e tyre personale. Etiketimi “egoist” ndoshta lind nga aftësia që ka Virgjëresha për të thënë “Jo”. Kur e thotë e ka me gjithë mend. Ai mund të japë lirisht kohën dhe energjinë e tij, por brenda llogjikës dhe në mënyrë të arsyeshme. Kur kërkesa bëhet e tepruar, ai do të tërhiqet dhe do ti bëjë të qarta vërejtjet e tij, ndoshta shumë të qarta. Por aq shumë që ai pëlqen të nxjerrë në pah të metat e të tjerëve, po aq shumë e urren kritikën e hapur ndaj gabimeve të tij. Kur një mashkull i Virgjëreshës bën një gabim, gjë që ndodh rrallë, do tju këshilloja tja vini në dukje me takt, nëse doni që të ruani miqësinë me të.

Virgjëreshat janë çuditërisht në gjendje të mirë shëndetësore pavarësisht çantës me ilaçe që marrin me vete në udhëtime (gjitmonë nëse nuk e ngarkojnë veten me shumë punë jashtë orarit, nëse nuk stresohen apo bien pre e pesimizmit). Ata kujdesen mirë për trupin e tyre dhe i japin rëndësi dietave ushqimore. Megjithatë, ata mund të ankohen për sëmundje të tilla si dhimbje stomaku apo urth, dhimbje kronike në zonën e zorrëve, dhimbje koke dhe probleme në këmbë (mos harroni Vullkanin, perëndinë çalamane). Ato shpesh mund të shqetësohen nga dhimbjet në shpatulla, krahë apo këmbë- problemet e artritit apo reumatizmes si dhe probleme me mëlçinë mund të jenë shkaktarët të ketyre shqetësimeve fizike. Por shqetësimi i Virgjëreshës për shëndetin e tij do të parandalojë sëmundje më serioze. Shumë prej tyre janë vegjetarianë.

Nëse jo, ju mund të jeni të sigurt se ata e dinë saktësisht se çfarë duhet të hanë dhe si duhet të jetë e gatuar. Me raste, ju mund të hasni ndonjë njeri të shenjës të virgjëreshës të fiksuar me mikrobet- si përshembull të veshë doreza plastike ndërsa përzien gjellën apo të ziejë furçën e dhëmbëve çdo natë- por këto janë ekstreme. Megjithatë, edhe një njeri i zakonshëm i kësaj shenje do të sigurohet që ti ketë larë duart përpara çdo vakti.

Njerëzit e shenjës së Virgjëreshës i do macet, zogjtë dhe krijesat e vogla dhe të pafuqishme. Ata gjithashtu janë tifozë të së vërtetës, saktësisë, ekonomisë, urtësinë dhe selektivitetit të matur. Ata e urrejnë ndjenjën e poshtërsisë, përtacisë dhe pakujdesisë. Ata kanë një natyrë praktike, janë selektivë dhe individualist të vërtetë, me perceptim të mprehtë, i cili i mban dëshirat e tyre të qarta larg nga vulgariteti.

Një fllad i freskët fryn nëpër ëndërrat e një Virgjëreshe, duke i mposhtur të gjitha mbeturinat e tyre dhe duke i lënë ato të lira. Sapo ai të mësojë të përballet me detajet e komplikuara të jetës, në vend që të lejojë detajet ta zotërojnë atë, ai mund ta ndërtojë fatin e tij me më shumë siguri se çdo shenjë tjetër e Zodiakut.
Guri i gjelbër i emeraldit dhe platini i pastër e plotësojnë atë dhe i sjellin fat. Por fati i mirë i Virgjëreshës do të ndiqet nga disa lloje vetmish dhe thirrja e detyrës është gjithmonë brenda zemrave të tyre të buta.

Mos harroni se pas buzëqeshjes së trishtuar te një Virgjëreshe, mund të fshihen një apo dy sekrete. Zhiva e planetit të Mërkurit dhe bubullima e largët e planetit akoma të padukshëm të Vullkanit, qarkullojnë në venat e tij, prandaj ai preferon të vishet me ngjyrat e grisë, bezhës, blusë me të gjitha nuancat e ngjyrës jeshile. Nën hijen e tij të rëndë, fshihet natyra tërheqëse e Virgjëreshës- me pastërtinë e mendimit dhe qëllimit, që simbolizohet nga lulja e zymbylit. Pasi të keni njohur aromën e kësaj lule Pashke, ju nuk do ta harroni më atë. Ajo do të kthehet çdo pranverë për tju ngacmuar kujtesën tuaj. Virgjëresha ka mënyrën e saj secrete, për ta bërë zemrën të kujtohet për të.

*Shënim: Karakteristikat e detajuara të shenjës së Virgjereshën janë bërë nga astrologia më e shitur sipas Neë York Times, Linda Goodman.

Copyright Anabel.al

Author: Portali