Kryeministri Edi Rama ka ndarë mbrëmjen e sotme faturën elektrike të një qytetari shqiptar që jeton në Itali, i cili ka paguar 625 euro për dritat. Foton e nisur Rama nuk e ka ndarë të plotë me ndjekësit e tij, por e ka vënë theksin tek fakti që sipas tij, në të gjithë botën ishte rritur çmimi i energjisë ndërsa në Shqipëri ende nuk kishte ndodhur diçka e tillë sepse shteti e paguante diferencën.
“Ma çon një shqiptar nga Firenze (emrin e të cilit e fshiva edhe pse nuk ma kërkon), me këtë tekst: “Zoti Kryeministër! E kotë të luftosh në fejsbuk me ata që një e dy përmendin rrogat tona këtej. Nuk e besova kur ju dëgjova që në Shqipëri nuk e keni rritur faturën e elektricitetit. Po e verifikova dhe ju them që jam pa fjalë! Mos u mërzisni me ata që bëjnë llogaritë e rrogave tona jashtë. Ca nuk kanë, ca nuk dinë ca jane te futur, ruani qetësinë me ta kush nuk e kupton sot do e kuptojë nesër. Ne këtej po na ikën truri me faturat e energjisë. Italianëve edhe më keq se neve që jemi stërvitur ca andej para se të vinim. Po ju nis faturën e famijes time mund ta tregoni publikisht. Jetojmë në një apartament aspak luksoz me qera këtu me një nga ato rrogat 1500 euro që i shkruajnë komentet sikur janë 15 mijë euro! Kemi tre goca në shkollë. Nuk po i bie gjatë. S’dimë sa do arrimë ta kapim fundin e muajve që vijnë po vazhdoi kjo furtunë çmimesh.. Zoti ju dhëntë durim dhe force”,-pretendohet se shkruan qytetari në postimin e ndarë nga Rama.
Mirëpo në komente ka pasur edhe nga ana që ia kanë shpjeguar Ramës se si funksionon procesi i pagesave në Itali, shumë ndryshe nga Shqipëria. Një zonjë i komenton se fatura në fakt është e një biznesi dhe në Itali mund të të vijë edhe dy herë në vit.
“Ku janë interesat? Në Itali jemi dhe ne të tjerët dhe kjo faturë nuk vjen. Të nxjerrë pak conguaglio, interesat dhe nëse kjo fature është në bazë të rezidencës apo thjesht forniture pa rezidencë. Më vjen keq po postimi nuk i përket të vërtetës,”-shkruan ndër të tjera komentuesja. Pse nuk e nxjerr të plotë Rama?”- përfundon ajo.