Shkrimtari argjentinas Luciano Wernicke ka publikuar së fundmi një libër, ku ka përmbledhur disa histori të çuditshme dhe të pazakonte që lidhen me Kampionatet Botërore ndër vite.
Në prag të nisjes së Kupës së Botës Katar 2022 ai ka nxjerrë librin me titull “Tregime të pabesueshme të Kupës së Botës”, i botuar në 20 gjuhë.
Mes këtyre historive tepër interesante është protagonist edhe një shqiptar. Në vitin e largët 1994, shkruan ai “një shqiptar hyri në një dyqan bastesh dhe vuri bast gruan e tij në një fitore të Argjentinës kundër Bullgarisë. Shqiptari humbi bastin, pasi Argjentina u mposht me rezultatin 2 me 0, si rrjedhojë ai humbi edhe gruan”.
Wernicke e shikon mbulimin e ngjarjes më të rëndësishme sportive në botë nga “perspektiva të ndryshme”, tha ai në një intervistë për Reuters, pasi “edhe historitë më të vogla përshkruajnë disi se çfarë është pasioni për futbollin”.
“Një burrë u hodh në një lum plot me krokodilë për të marrë biletat për Kupën e Botës 2010. Ndërkohë një lojtar i Uruguait u kthye në fushë menjëherë pasi pësoi një atak në zemër dhe një çift rus u ndanë pasi debatuan se kush ishte lojtari më i mirë, Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo” janë disa nga historitë që përshkruhen në libër.