Të ushqyerit vetëm gjatë ditës dhe jo natën, mund të jetë çelësi për të pasur një jetë më të gjatë. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri nga ekspertët e Qendrës Mjekësore Jugperëndimore në Universitetin e Teksasit. Ata thonë se nuk ka rëndësi vetëm ajo që konsumoni, por edhe koha kur e bëni këtë.
Studimi i tyre zbuloi se reduktimi i ushqimeve të yndyrshme dhe me sheqer, si dhe konsumimi i vakteve në kohën e duhur, e rriti me 35 për qind jetëgjatësinë e minjve. Eksperimentet zbuluan se ritmet ditore të orës së trupit, luajnë një rol të madh në përfitimet nga një dietë e shëndetshme.
Këta brejtës, janë kafshë nate, pra janë më aktivë në errësirë. Ndërkohë, njerëzit janë përgjithësisht më aktivë gjatë ditës. Duk pasur këtë parasysh, autorët e studimit thonë se njerëzit duhet ta kufizojnë ngrënien e tyre tek orët më aktive të ditës.
Tek kafshët e ndjekura në laborator për 4 vite, vetëm një dietë me kalori të reduktuar e rriti mbijetesën me 10 për qind. Megjithatë, përmirësimi u rrit ndjeshëm me një orar ekskluziv të ushqyerjes gjatë natës. Autori kryesor i studimit, profesor Xhozef Takahashi thotë se një plan i ngjashëm për njerëzit, do ta kufizonte ngrënien në orët e ditës.
Dihet se ngrënia më pak e përmirëson shëndetin. Studimet mbi një shumëllojshmëri kafshësh,kanë treguar se ajo mund të çojë në pasjen e një jete më të gjatë dhe më të shëndetshme.Gjetjet më të fundit i shtohen provave se ngrënia e një mëngjesi apo dreke të bollshme dhe jo e darkës është gjithashtu thelbësore, të paktën për njerëzit.
Takahashi, një biolog molekular në profesion, shton se studimi i tyre i fundit ndihmon në dhënien fund të debatit rreth dietave që rekomandojnë të ngrënit vetëm në periudha të caktuara të ditës, të cilat shumë njerëz i quajnë si “agjërim me ndërprerje”.
Edhe pse sipas një studimi të fundit të botuar në “New England Journal of Medicine”, kjo nëpraktikë mund të mos përshpejtojë rënien e peshës tek njerëzit, mund të çojnë gjithsesi në përfitime të tjera shëndetësore që e rrisin jetëgjatësinë mesatare.
Dietat e “agjërimit me ndërprerje”, janë bërë gjithnjë e më popullore vitet e fundit. Ato përfshijnë agjërimin në ditë alternative ose ngrënien vetëm gjatë një periudhe prej 6-8 orë në ditë. Takahashi dhe kolegët e tij kanë zbuluar efektet e kalorive, agjërimit dhe ritmit cirkadian mbi jetëgjatësinë.
Ata përdorën qindra minj me ushqyes të automatizuar, për të kontrolluar se kur dhe sa hante secila kafshë gjatë gjithë jetëgjatësisë së saj. Disa mund të konsumonin ushqim sa të donin, ndërsa të tjerëve iu kufizuan kaloritë me 30–40 për qind. Grupi i fundit hante në orare të ndryshme. Në fund u pa se më gjatë jetuan minjtë e ushqyer me një dietë me kalori të ulët dhe gjatë natës, për 2 ose 12 orë.