Të rinjtë në Shqipëri lodhen me punët 8-orëshe në zyra, tani ka dalë një model i ri

Nuk ka rëndësi se ku ndodhet, i mjafton një laptop dhe është në vendin e punës në çdo kohë. Valbona Brahaj ka hequr dorë nga punësimi 8-orarësh dhe prej tre vitesh punon online.

“Kam testuar goxha metoda të punës online si janë youtube, freelancing dhe kuptova që unë kam një lloj pasioni për digital marketing. Ka një fleksibilitet të jashtëzakonshëm, mund të punoj kur të duam sa të duam”, thotë Valbona Brahaj, specialiste marketingu.

Megjithatë, të punosh vetëm online nuk është gjithmonë aq e lehtë. “Përditshmëria ime fillon që me zgjimin herët, pasi puna online kërkon një disiplinë akoma më të rreptë sesa një punë e zakonshme, sepse tani jemi vetëm ne dhe klienti”, tregon ajo.

Valbona ka studiuar për informatikë por sot nuk mendon më të rikthehet për të ushtruar këtë profesion në një punë 8-orarshe. “Sigurisht që nuk dua të kthehem mbrapsht, sepse unë çfarëdo lloj pune që kam bërë 8 orarëshe nuk kam qenë totalisht e lumtur”, shprehet Brahaj.

Sipas ekspertëve të punësimit, interesi i të rinjve qëndron kryesisht në ofrimin e shërbimeve digjitale si editimi i videove, grafik design, menaxhimi i rrjeteve sociale.

“Referuar kërkesave të tregut global, kryesisht janë shërbimet në fushën e marketingut, programimit, shërbime në fushën e grafik design. Puna hibride e kombinuar mes zyrës dhe shtëpisë është dhe do jetë e ardhmja e të punuarit”, thotë Erion Muça, ekspert punësimi

Pas pandemisë, të punuarit në distancë po praktikohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri. Platformat online prej vitesh në botë janë kthyer në një makineri prej nga ku gjenerohen të ardhura përmes ofrimit të shërbimeve. /Euronews.al

Author: admin