Teknologjia dhe shëndeti, si ka ndryshuar mënyra se si njerëzit kujdesen për veten

Pajisjet “e veshura në trup” po lidhin kujdesin shëndetësor me jetën e përditshme. Kjo do të ndryshojë mënyrën se si njerëzit kujdesen për veten, shkruan The Economist

Bryan Johnson ka kaluar një tjetër fundjavë në spital për kontroll shëndetësor. “Të shtunën, sonografi mati… kyçet e këmbëve, gjunjët, ijet, shpatullat dhe bërrylat e mi, duke vlerësuar se cila është mosha e tendinave dhe ligamenteve të mia”, thotë ai.

 

Kjo është pjesë e një misioni për të matur me kujdes të gjitha organet e trupit, në mënyrë që të vërehet nëse dhe në çfarë mase, jetesa e tij e shëndetshme, po i ripërtërin ato.

 

Johnson, sipërmarrës teknologjik në Kaliforni, thotë se i është nënshtruar më shumë se 300 testeve të llojeve të ndryshme për këtë qëllim. Ai madje duhej të bënte dhe një ekzaminim për të kontrolluar në mos kishte dëmtime në arterie nga sasia e madhe e gjakut që i ishte marrë për analizat e tjera.

 

Dieta e tij përcaktohet tërësisht nga testet që vërejnë sesi trupi i tij reagon ndaj rreth 150 ushqimeve të ndryshme. “Mendja ime nuk vendos kurrë se çfarë duhet të ha”, thotë ai. Vakti kryesor çdo ditë është i njëjti, mish me perime të gjelbra, duke mos harruar orët e plota të gjumit, stërvitjen dhe regjimin e rreptë të meditimit.

 

Zoti Johnson mendon se ky stil jetese tashmë tetëmujor, e ka rinuar trupin e tij me pesë vjet. Sido që të jetë, ai me siguri po i shtyn kufijtë e asaj që revista Wired e quajti në vitin 2007, “vetja sasiore”: pra, grumbullimi dhe analizimi i përpiktë i të dhënave rreth trupit të njeriut dhe stilit të jetesës, për të arritur një shëndet sa më optimal.

 

Matjet sistematike të veçorive fizike të njerëzve dhe të dhënat mbi sjelljen e tyre, u përhapën me Iluminizmin dhe zhvillimin e statistikave.

 

Në pjesën më të madhe, ato përdoreshin për të kuptuar dhe për të kontrolluar popullatat, duke i organizuar ato në klasa dhe për të kërkuar të sëmurët e ndryshëm të konsideruar “inferiorë”, në mënyrë që t’i veçonin ose t’i ndëshkonin. Ajo çka bie në sy në versionin modern të “vetes sasiore”, është theksi mbi individualizmin.

 

 

 

Teknologjia e vendosur në kyçet e dorës

 

Teksa po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, teknologjia e vendosur në kyçet e dorës, e quajtur kolektivisht “e mbajtur me vete” – po mat gjithnjë e më shumë aspekte të jetës së përdoruesve, me saktësi dhe delikatesë. Një Apple Watch mbledh me miliona të dhëna në ditë. Njerëzit po e shohin veten në mënyra të reja dhe po gjejnë metoda të tjera për të vepruar sipas asaj që mësojnë. Efekti në shëndet dhe stilin e jetesës, ka të ngjarë të jetë i thellë.

 

Natasha Schüll, antropologe kulturore në Universitetin e Nju Jorkut, e cila po shkruan një libër me titull, “Keeping Track”, që flet për lëvizjen “vetja sasiore”, filloi të merrte pjesë anonimisht në takimet e përkrahësve të kësaj lëvizjeje, rreth vitit 2011.

 

Pjesëmarrësit asokohe ishin “të pasionuar pas teknologjisë”, dhe ishin kryesisht burra, të cilët kishin mbledhur të dhëna për veten dhe ndanin me të tjerët atë që kishin mësuar. Megjithatë, së shpejti, thotë doktor Schüll, filluan të shfaqen edhe të tjerë: njerëz që uleshin mbrapa në heshtje dhe mbanin shënime.

 

Këta ishin sipërmarrës që donin të kthenin atë që mësonin nga këto takime, në produkte konsumi: aplikacione dhe pajisje që përdorin të dhëna të tilla në mënyra të ndryshme.

 

Deri në vitin 2015, kur Apple prezantoi orën e parë inteligjente, gjurmuesit e fitnesit Fitb ishin tashmë në shitje për gjashtë vjet dhe kishin në treg më shumë se 500 pajisje të lidhura me shëndetin. Shitjet e orëve inteligjente dhe gjurmuesve të fitnesit arritën në 8 miliardë dollarë, sipas firmës kërkimore CCS Insight. Deri në vitin 2021, 29 miliardë dollarë u shpenzuan globalisht për mallra sportive.

Author: portali