Gazmend Lakna për tri vjet e gjysmë qëndroi nëpër burgje të ndryshme në Kosovë, edhe pse ishte i pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohej. Për kohën e kaluar në qeli, Lakna tash po ia kërkon Këshillit Gjyqësor të Kosovës 1 milion euro, por Gjykata Themelore e Gjilanit, ka vendosur se atij I takojnë vetëm 103 mijë euro si kompensim.
Si i pafajshëm i kaloi tri vjet e gjysmë në burg. Prandaj, për këtë kohë të kaluar prapa grilave, Gjykata Themelore e Gjilanit vendosi në fillim të korrikut, që ta dëmshpërblej Gazmend Laknën me 103 mijë euro.
Mirëpo, kjo shumë për gjilanasin, është e papranueshme. Për kohën kaluar në ballafaqim me drejtësinë, Lakna po kërkon plot 1 milion euro, shkruan Express.
“Mendoj që është shumë qesharake kjo 100 mijë euro. Fundi i fundit unë 100 mijë euro nuk ja marrë hiç. Ja lo krejt e nuk ja marrë hiç. Po të drejtën ligjore do ta shfrytëzojë, qoftë nevoja do të pres, nëse do Zoti hyn Kosova në Këshill të Evropës, deri në Strasburg do të shkoj. Do ta shtyej me mjete ligjore, se me gjyks nuk kam me kënd”, ka thënë Gazmend Lakna, qytetar.
Lakna, dyshohej nga EULEX, e më pas Prokuroria Speciale, se ishte pjesë e grupit të njohur si “Grupi I Dobrosinit”, që kishin sulmuar pikën kufitare të policisë serbe në atë fshat. Vendimin e dy shkallëve të para që i kishte gjetur fajtor, Supremja e kishte prishur dhe GJykata Themelore në Gjilan I kishte liruar nga akuzat, vendim që ishte vërtetuar nga shkalla e dytë.