Edhe pse kanë kaluar thuajse 25 vite nga vdekja e parakohshme e lady Dianës, princeshës moderne që për herë të parë arriti të revolucionarizojë etikën e rreptë mbretërore të familjes Windsor, tabloidët vazhdojnë të flasin për të, duke zbuluar gjithmonë thashetheme të reja për të, për të cilat askush nuk ishte në dijeni. Lajmi i fundit që po bën shumë bujë ka të bëjë me marrëdhënien e saj me paparacët. E dinit që princesha i vinte në lojë duke punësuar gra të ngjashme me të, për t’i ngatërruar?
Fiksimi i paparacëve me Lady Dianën
Paparacët kanë qenë gjithmonë të fiksuar pas Lady Dianës, sidomos kur ajo u divorcua nga princi Charles dhe filloi një jetë të re. Ata përpiqeshin me çdo mënyrë të rrëmonin në privatësinë e saj dhe të publikonin çdo detaj të mundshëm, vetëm e vetëm për të bërë zhurmë duke i kufizuar shpeshherë përditshmërinë. Por, lady Diana kishte gjetur një mënyrë për t’u hedhur hi syve, bindte gra dhe vajza që i ngjanin fizikisht të visheshin si ajo dhe të shfaqeshin në vende të ndryshme për t’i ngatërruar. Këtë histori e ka treguar së fundmi Hannes Schneider, pronari i hotelit me pesë yje “Arlberg” ku princesha qëndroi gjatë pushimeve të shumta në Lech, një qytet i njohur në Alpet austriake.
“Princeshë Diana kaloi plot pesë vite të gjata në hotelin tonë dhe takonte gjithmonë të njëjtët njerëz. Gratë në atë kohë përpiqeshin të ishin ajo, të njëjtat flokë, të njëjtin stil dhe kështu ishte më e lehtë që t’i bindte të dukeshin si ajo. Ajo kërkonte që të visheshin me të njëjtat rroba dhe të largoheshin nga hoteli në të njëjtën kohë me të.”, -shpjegoi ai. Në shumicën e rasteve paparacët ndiqnin personin e gabuar, duke i dhënë kështu disa orë liri.