Ulje dhe ngritje temperaturash! Ndryshimet e motit, ja çfarë na pret gjatë kësaj jave

Kjo javë pritet të karakterizohet me mot të ndryshueshëm dhe nuk do të mungojnë reshjet e shiu të cilat sadopak pritet të zbusin thatësinë e madhe që po mbretëron në disa rajone. Nuk do të mungojnë as temperaturat mjaft të larta dhe zagushia sidomos gjatë mesit dhe fundit të javës

 

Java filloi e freskët dhe me riga lokale shiu dhe kështu do të vazhdojë dita e hënë duke gjeneruar rrebeshe të fuqishme në disa rajone pasditen e sotme. Nuk përjashtohet mundësia që në disa zona të ketë breshër dhe bubullima të zhurmshme.

 

Nga nesër (e martë) pritet të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave për arsye të ardhjes së masave të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore. Njëkohësisht krahas nxehtësisë priten edhe zhvillime të stuhive afatshkurtra, të izoluara të cilat pritet të kushtëzojnë rrebeshe në zona të izoluara me breshër dhe bubullimë.

 

Rrebeshet pritet të jenë më të rralla dhe më të izoluara të mërkurën dhe të enjtën për tu rikthyer fuqishëm nga e premta dhe për fundjavë.

 

Sa i përket bregdetit gjatë tërë javës pritet mot kryesisht me diell dhe zhvillimet e stuhive pritet të jenë krejtësisht të rralla dhe të izoluara deri në fundjavë kur ka gjasa që edhe në bregdet të ketë reshje më të përqëndruara të shiut (të dielen).

 

Temperaturat do të shënojnë rritje nga nesër dhe ato maksimale pritet të arrijnë deri në 32-33 gradë Celsius dhe për shkak të nivelit të lartë të lagështisë relative të ajrit i nxehti i mesjavës mund të jetë paksa i rëndë dhe me zagushi. Normalisht në ato zona ku do të ketë rrebeshe pritet freskim.

Author: portali