Vëllai i Baca Lulit një meteor i fikun në pabesi. Shkruar nga Prof Gjon Frani Ivezaj
Krenaria e të qënit malsor dhe ambicja për të qënë zot të vetvetes i bënte grudjanët të çohen peshë me qëndrimet e tyre, aq sa edhe të vetësakrifikohen. Falë kësaj krenarie dhe nevojës për të patur të pa cënueshëm këtë identitet ndërfisnor, jetën e tyre e çmonim më pak se rrobat e trupit kur vinte puna të vihej në diskurim nderi, familja dhe dinjiteti i burrit. E tillë ishte edhe sakrifica e Zef Lul Bardhokut i cili në përpjekje për të arritur qëllimin e tij prej djaloshari largpamës, u shua si një meteor që ndriçon qiellin para se të fiket. Një histori e vërtetë dhe aspak e trilluar e treguar me imtësi nga plaku i urtë e i moçëm sa shekulli, Kolë Pretash Voc Kalaj, në memorjen e të cilit ishin gdhëndur shumë ngjarje të përbotshme të Malit të Grudës. Një kujtesë e brujtun në rrjellën e gjatë e të mundimshme të jetës së tij, për të qënë një grudjanë i fisshëm e i vërtetë si një nga shtat punët e fesë e të qëndresës së bijve të Grudës. Historitë e treguara prej tij shumë herë shoqëroheshin me lot të kulluar krojesh, që njomnin sytë e tij të shterrun nga rrullat e thella të pleqnisë. Zef Luli u pre në besë e kjo është merja më e madhe e burrit thoshte Kol Pretashi. Ai kishte vendosur që me çdo kusht të paisej me armë zjarri, e cila veç mbrojtjes vetjake, do ta veshte atë edhe me imunitetin e një luftëtari trim, si shumë malsorë të tjerë me zâ të cilët e kishin të rrëmbyer si një triumf guximi, armën e tyre që mbanin në sup o në brez. Ky veprim do bante që Zefi pasi të armatosej të hynte të hynte në rrallët e luftëtarëve të shquar e të nderuar të Maleve të Malsisë së Madhe për çlirimin e trojeve e të vatanit nga pushtuesi anadollak. Ambicje kjo që i mori jetën nga tradhtia e shokut të tij Rexhep Duli, pabesi të cilën e përkufizonte mjaft qartë Atë Ambroz Martini kur thoshte se: “asht ma e amel thundra e shkjaut se thika e vllaut”.
Kjo ngjarje tragjike zë fillë në ato ditë të Shënkollit Maj, të vitit 1899 ku gëzimi i festës së shenjtë u kthye në mort të kobshëm për Kullën e Baca Lulit dhe fisin Ivezaj, ku megjithëse Zefi mbeti i vramë nga kjo pabesi, vdiq me faqe t’bardhë pasi e mori gjakun e vet me dorën e tij. Sipas gojdhanave të Kolë Pretashit, atë natë po binte një shi i madh e i furishëm. Zefi dhe Rexhepi si shokë të ngushtë që ishin kishin planifihuar prej kohësh të hynin në kapanonet ushtarake të rrepartit turk e të merrnin nga një armë zjarri dhe një sasi fishekësh për ti patur rezervë e të kthenin në shtëpi, pa u vënë re nga ushtarët turk. Plani i tyre i mirë memduar deri në detaje funksionoi mjaft mirë deri në aktin final. Të veshur me guna çobani për të kapërcyer telat me gjëmba e të mbrojtur nga terri i natës, të rinjt mbërritën në Shipshanik afër garnizonit turk në Tuz. Në ato momente dendësia e shiut filloi të shtohej e moti të rëndohej edhe më shumë, me gjamë e vetima tmerrshe. Aq shpesh theknin vetimat sa qielli filloi të ndriçonte sikur donte ti ndalte të rinjt të mos e përfundonin misionin e tyre.
Në këto rrethana Rexhepin e zuri paniku aq sa t’i lutej Zefit të ktheheshin me pretekstin se gjamët e motit do ti zgjonin ushtarët, e drita e tyre do ti nxirrte zbuluar para rojeve të garnizionit turq. Zefi, si më i vendosur në qëllimin e tij i thotë Rexhepit të fshehet e ta presë aty ku ishin, sa të hyj e ti marr dy armë e do fishekë rezervë, dhe ashtu bani. Hyri e mori dy mazerre, një për vete e një për Rexhepin dhe nga një kuti fishekësh për secilin. I gëzuar që ja doli mbarë, Zefi ja dorzon armën shokut të tij dhe ashtu siç ishin të lagur e të maskuar marrin rrugën për në shtëpi. Diku kundruell Vranjes ashtu në ecje të heshtun Zefi para e Rexhepi mrapa, sikur ti kishte shituar hija e natës, Rexhepi kishte zënë të bluante në mëndjen e tij se Zefi do ta kallzonte si frigacak para malsorëve e për këtë vendosi eleminojë, e ta vrasë pas shpine me armën që vetë Zefi ja dhuroi. Plumbi i bie në shpatull dhe Zefi bie për dhe. Dhe ashtu si trimat me namë që u knohet kënga se vdesin me faqe t’bardhë e gjaku s’u lihet pa marrë, edhe Zefin e merr plumi por se lshon ORA. Rexhepi me mendimin se Zefi kishte vdekur dhe arma e tij do ti siguronte edhe një qese pare, turret drejt tij për t’ia marrë, por Zefi e kupton dhe duke mbledh ato pak forca që i kishin mbetur e gjua dhe e vret duke i thanë: o more probo si na vrave të dyve me pabesinë tane.
Ndër kohë shiu kishte pushuar sikur donte t’u linte vënd xhakojve të natës, të vriteshin ndërmjet vetit. Krismat e armëve të tyre u dëgjuan deri në kullën e Baca Lulit të cilët mbërritën me të shpejt në vëndngjarje ku gjindeshin dy të rinjt e vramë. Ashtu në ato mundime të fundit për mos me vdek i koritun, Zefi u leçitet të tijve për të vërtetën e kësaj tragjedie dhe mbyll sytë përgjithmonë duke fjetë si fle nata në ato qeta gurësh e shkrepash të mallkuar nga Luciferri i tërbuar prej marazit i tij shpirtzi.
Vdekja e Zefit e vorfnoi zemren e zhuritun të vëllait të vetëm Baca Lulit dhe nanës së tij fatkeqe. Kjo tragjedi krioi shumë hëndeqe ndërmjet fiseve të Grudës me fisit të Vranjes, aq sa edhe sot e kësaj dite kjo tragjedi na ka mbetur si varrtë që lanë shej mbi lëkurën e trupit që nuk i fshehin as vitet as mjekimet. Edhe sot e kësaj dite sa herë bie fjala për trimni e për malsorë të vramë në pabesi asnjëherë nuk kalon pa u përmendë kjo tragjedi që e bani Zef Lulin të përmendur, të pa harruar e burrnor në hirë të dekës së tij, thoshte Kolë Pretash Voci. Kështu Zef Lul Bardhokun, vllanë e vetëm të Baca Lulit e mori vdekja në lule të rinisë, në moshën 17 vjeçare duke i lënë Kullës dhe fisit Ivezaj, lavdi e faqe të bardhë në shekuj të shekujve.