Tropoja njihet më së shumti për Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, i cili prej vitesh është kthyer në një prej atraksioneve më të mëdha të turizmit në veri.
Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës.
Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës.
Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.
Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
Panoramën turistike të kësaj zone e plotëson më tej edhe Liqeni Xhemës është një liqen natyror i vendosur në hyrje të zonës së banuar të fshatit Valbonë, pjesë e Parkut Kombëtar të Valbonës.
Liqeni është formuar nga reshjet e shiut apo dhe prej shkrirjes së dëborës, dhe ofron një pamje fantastike, sidomos në pranverë dhe vjeshtë ku ka maksimumin e ujit.
Ky është një atraksion i arritshëm nga çdo grupmoshe, i shkallës së vështirësisë “i lehtë”, i përshtatshëm për një ecje me familjen apo për një shëtitje pasditjeje – para darke.
Në hyrje të luginës, buze rrugës nacionale të asfaltuar, vizitorët gjeni tabelën orientuese dhe mund të ndiqni shtegun në menyre autonome edhe pa ndihmën e një guide.
Shtegu kalon përmes pyllit të gjelbëruar.
Liqeni furnizohet nga një burim i tij nga toka dhe ka një ngjyrë blu të magjishme në pranverë.
Ky destinacion i mrekullueshëm turistik është i arritshem nga çdo bujtinë e zones në harkun kohore prej 15-45 minuta maksimumi nga bujtina më e largët.
Valbona, është një nga udhëtimet që nuk duhet humbur, si dhe një nga vendet që duhet vizituar patjetër. Lumë dhe fshat. Një mrekulli e natyrës, përjetimi i së cilës të thërret që të rikthehesh.
Më poshtë po sjellim pamje piktoreske të kësaj copëze parajse në mrekullitë natyrore të veriut të Shqipërisë./CNA.al