Pak ditë më parë humbi jetën një 10-vjeçar nga Guri i Zi, në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi teksa ai po bënte një sfidë në rrjetin social “TikTok”.
Kemi dëgjuar herë pas here ngjarje të tilla jashtë Shqipërisë, por ky ishte rasti i parë në vendin tonë. Kjo histori e rëndë, tronditi opinion publik në vend.
Sot ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” një nga shokët e viktimës, i cili tregoi se Naseri pëlqente shumë rrjetet sociale.
“Pëlqente të postonte, të merrte ‘like’. Nuk bënte video kur dilte me ne, vetëm në shtëpi”. Ai rrëfen se 10-vjeçari nuk kishte asnjë problem. “Ka qenë shumë fëmijë i lumtur. Dilnim çdo ditë, luanim te fusha e futbollit”, tha ai.
Nga ana tjetër, të afërm të tjerë të djalit, pranojnë se i mituri kalonte shumë kohë çdo ditë me telefon dhe rrjetet sociale, “ishte i fiksuar me telefonin”.