Pak ditë më parë SPAK kërkoi sekuestrimin e pasurive të tre ish gjyqtarëve Fatos Lulo, Shkëlzen Selimi dhe Bashkim Dedja të shkarkuar nga vettingu.
Kjo kërkesë u miratua nga Gjykata e Posaçme e cila vendosi sekuestro. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar dosjen me vendimin e Gjykatës, ku thuhet se secili prej tre ish gjyqtarëve dyshohet se është përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe këto pasuri i kanë vendosur nga përfshirja në këto aktivitete.
Gjykata mbi bazën e provave të shqyrtuara nisur nga lloji dhe vlera e pasurisë objekt sekuestroje, vlerëson se ekziston rrezik real për transferimin ose tjetërsimin e pasurisë objekt sekuestroje tek persona të tjerë, familjarë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e kësaj pasurie.
Në vendimet që Top Channel disponon për tre ish gjyqtarët, thuhet më tej se SPAK ka angazhuar një ekspert, i cili ka evidentuar dhe ka kontrolluar të gjitha pasuritë. Gjykata e Posacme kujton se ka evidentuar të gjitha deklaratat vjetore të vendosura në dispozicion të secilit nga tre subjektet.
Thuhet se për t’i dhënë efekt procesit penal, nuk është marrë parasysh vendimmarrja administrative për shkarkimin e secilit, por të ardhurat vit pas viti e gjyqtarëve dhe të afërmeve. Dyshohet se ata përdorën familjarët për të fshehur pasuritë që janë nën sekuestro.
Top Channel