Policia Vendore në Durrës bëri me dije se ka goditur një tjetër rast të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Aksioni është zhvillur në Krujë, ku janë zbuluar 39 kg canabis, ndërkohë që person ka rënë në pranga
Njoftimi i Policisë:
Krujë
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Arrestohet një 38-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjet një sasi e konsiderueshme lënde narkotike.
Sekuestrohen rreth 39 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas i shpallur në kërkim fshihej në banesë dhe dispononte lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit H. F., të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës dhe në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 39 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan në flagrancë shtetasin H. F., 38 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.