Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e 50-vjeçarit sot në Luzni të Dibrës. Muhamet e Altin Mera 30 e 42 vjeç qëlluan me armë zjarri automatik Xhetan Konesha, ndaj të cilit u shkrep një karikatorë e tërë, duke e lënë të vdekur. 50-vjeçari ka mbërritur i vdekur në spital.
Gazetari Enver Doçi ka siguruar për ‘BalkanWeb’ dëshmi të bashkëfshatarëve të autorëve dhe viktimës. Sipas tyre, dëshmitare e skenës së krimit u bë vajza 18-vjeçare e viktimës, e cila sapo do të ikte bashkë me babain e saj me furgon drejt qytetit. Dëshmitar i ngjarjes u bë edhe një djalë i ri, i cili madje ishte kërcënuar. “Do të vrasim edhe ty”, mësohet t’i kenë thënë dy vëllezërit bashkëfshatarit të tyre.
Po ashtu, banorët bëjnë me dije se sherri mes viktimës dhe dy vëllezërve ishte i hershëm, ndërsa në verë ata ishin zënë në lokalin e fshatit. ‘Mollë sherri’ mes dy familjeve ishte bërë uji i vaditjes, pasi në muajin gusht dy vëllezërit i kishin prerë tubat e vaditjes Xhetan Koneshës.
Po ashtu bëhet e ditur se viktima dhe dy vëllezërit kishin lidhje miqësore mes tyre, ndërsa kishin shtëpitë vetëm 200 metra larg. Gjatë aksionit blutë e Dibrës vunë në pranga 30-vjeçarin Muhamet Mera si dhe sekuestruar armën e zjarrit tip automatik, me të cilën dyshohet se është kryer vrasja. Policia është vënë në kërkim të vëllait tjetër Altin Mera, i cili është larguar në pyll.
Ballkan Web/