Komisioni Hetimor që do të hetojë shkelje kushtetuese të kryera nga presidenti Ilir Meta do të zhvillojë mbledhjen e parë ditën e sotme në orën 11:00.
Pas miratimit ditën e djeshme nga Kuvendi me 97 vota pro dhe 6 kundër për ngritjen e këtij Komisioni Hetimor.
Mbledhja do të zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit nën drejtimin e Alket Hysenit dhe nënkryetarit Myslim Murrizi.
Ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra.
Anëtarët e Komisionit Hetimor janë Alket Hyseni, Myslym Murrizi, Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani, Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.
Afati i punës së Komisionit Hetimor i ngritur nga Kuvendi pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit.
Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Parlamentit.
Rend i ditës i mbledhjes së Komisionit Hetimor:
1.Konstituimi i Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”
2.Deklarimi i qëllimit të ngritjes së komisionit me vendimin nr. 45 datë 07.05.2021 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
3.Zgjedhja e sekretarit për drejtimin e çështjeve administrative dhe teknike të Komisionit Hetimor
4.Miratimi i planit paraprak të hetimit
5.Çështje të tjera.
Top Channel