Pas pushimit nga puna dhe arrestimit të disa prej kontrollorëve të trafikut ajror nga qeveria shqiptare, sindikalistët e Evropës bënë thirrje për donacione në ndihmë të tyre duke grumbulluar mbi 40 mijë euro përmes platformës gofundme. Logoja e fushatës së ndihmave për kontrollorët shqiptarë. Printscreen/Gofundme
Sindikata Evropiane e Kontrollorëve të Trafikut Ajror përshkallëzoi mbështetjen e saj për kontrollorët protestues shqiptarë të cilët u pushuan nga puna dhe u arrestuan nga qeveria shqiptare, e cila i akuzoi ata për “grusht shteti” dhe “sabotazh”.
ATCEUC, e cila përbëhet nga sindikatat kombëtare të kontrollorëve të trafikut ajror, ka protestuar ashpër ndaj veprimeve të qeverisë shqiptare dhe prokurorisë kundër kontrollorëve shqiptarë, në veçanti për arrestimin dhe mbajtjen në arrest me burg të kontrollorëve Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini, ndërsa në mbështetje të tyre kanë hapur një llogari për të grumbulluar donacione.
“Ata nuk janë kriminelë, nuk janë përfshirë në një Grusht Shteti siç i kanë akuzua ca ministra të qeverisë. Ata po vepronin vetëm si profesionistë të mirëpërgatitur, synimi i të cilëve është të ofrojnë shërbim të shkëlqyer dhe të sigurt për avionët në fluturim,” thuhet në një nga shumë deklaratat e ATCEUC në mbrojtje të tyre. Ndreca, Fezga dhe Mezini u lanë në masë sigurie “detyrim paraqitjeje” dhe “gjendje të lirë” nga Gjykata e Apelit më 27 prill, pasi ishin mbajtur në “arrest me burg” për dy javë.
Çështja e tyre riktheu edhe një herë vëmendjen ndaj keqpërdorimit të masës së sigurisë “arrest me burg” nga prokurorët dhe gjyqtarët, një masë që duhet të përdoret vetëm në rast se të ndaluarit përbëjnë rrezik publik dhe kur ky rrezik publik shpjegohet në mënyrë bindëse nga autoritetet.
Më 13 prill, ATCEUC hapi thirrjen në gofundme.com për të grumbulluar fonde për mbështetje ligjore dhe psikologjike për kontrollorët e pushuar nga puna dhe ata të arrestuar. Deri më 28 prill, 40,430 euro u grumbulluan në këtë fushatë nga 627 donatorë, disa prej të cilëve i bënë thirrje sindikalistëve shqiptarë të qëndrojnë të fortë dhe të rezistojnë.
BIRN | Tiranë/